“Agresioni rus ndaj Ukrainës minon besimin tashmë të brishtë mes Perëndimit dhe Rusisë”

Pahor tha se vendimi i presidentit rus për të sulmuar Ukrainën ishte “befasi dhe zhgënjim”, si dhe shtoi se “agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dëmtoi besimin e brishtë midis Perëndimit dhe Moskës”

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka deklaruar se lufta e Rusisë ndaj Ukrainës “ka minuar rrënjësisht besimin tashmë të brishtë midis Perëndimit dhe Rusisë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke iu drejtuar të dërguarve turq në edicionin e 13-të të Konferencës së Ambasadorëve në Ankara, presidenti Pahor tha se vendimi i presidentit rus, Vladimir Putin, për të sulmuar Ukrainën ishte “befasi dhe zhgënjim”, si dhe shtoi se “agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dëmtoi besimin e brishtë midis Perëndimit dhe Moskës”.

Duke kujtuar “marrëdhëniet e mira” midis Sllovenisë dhe Rusisë për më shumë se 15 vite deri në fillimin e luftës në Ukrainë më 24 shkurt, Pahor tha se vendi i tij “kurrë nuk u ndje i kërcënuar nga Rusia, derisa miqtë e Evropës Lindore gjithmonë e kanë përshkruar Rusinë si një kërcënim direkt ose indirekt për sigurinë e tyre”.

Megjithatë, Pahor tha se lufta ka ndryshuar lidhjet e tyre.

“Lufta në Ukrainë do të sjellë një ndarje të re të bllokut të Evropës dhe botës, pa ndërprerjen e luftës dhe një zgjidhje paqësore të konfliktit, gjë që nuk duket se do të ndodhë”, shtoi ai.

Presidenti slloven tha se me situatën aktuale të shkaktuar nga lufta, “zhvillimi i një ndarje të re të bllokut duket pothuajse i pashmangshëm”.

“Në ndarjen e re gjeopolitike, Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e botës perëndimore. Por kjo varet nga Brukseli, po aq sa edhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Sa më gjatë të zgjasë procesi i zgjerimit të BE-së, aq më shumë këto vende do të ekspozohen ndaj oreksit rus ose të paktën ndaj rritjes së ndikimit”, u shpreh Pahor, duke theksuar rëndësinë “jetike” të Bosnjë e Hercegovinës.

Më tej, ai tha se po përpiqet të bëjë gjithçka në fuqinë e tij për t’i “bindur BE-në dhe Perëndimin që ta pranojnë atë (Bosnjë e Hercegovinën) në BE në një procedurë të shpejtë dhe nëse është e mundur, edhe në NATO”.

Kategoritë
BotaLajme