“Agresioni ushtarak rus kërcënon fqinjët e Ukrainës, por njëkohësisht edhe Ballkanin Perëndimor”

Në konferencën e përbashkët për mediat, presidenti i Shqipërisë dhe homologu i tij polak u fokusuan në çështjet e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Polonisë, integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, luftën Rusi-Ukrainë dhe çështje të tjera

Presidenti i Republikës së Polonisë, Andrzej Duda, ka realizuar një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë është takuar me homologun i tij, Bajram Begaj dhe zyrtarë të tjerë të vendit, raporton Anadolu.

Pas ceremonisë së pritjes dhe takimeve në selinë e Presidencës së Shqipërisë, Begaj dhe Duda mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në çështjet e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Polonisë, integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, luftën Rusi-Ukrainë dhe çështje të tjera.

– Begaj: Shpreha mirënjohje për kontributin që Polonia ka dhënë për paqen në Ballkanin Perëndimor

Presidenti Begaj tha se ka vlerësuar marrëdhëniet sipas tij shumë të mira politike e tradicionalisht miqësore të “rikonfirmuara edhe përmes kësaj vizite të mikut Duda në Tiranë”.

“Ramë dakord për të dhënë kontributin tonë në nxitjen e mëtejshme të këtyre marrëdhënieve miqësore e të bashkëpunimit. I shpreha mirënjohjen Presidentit Duda për solidaritetin që Polonia dhe populli polak treguan me shqiptarët për kapërcimin e dëmeve të tërmetit shkatërrimtar të nëntorit 2019, por dhe gjatë pandemisë COVID-19”, u shpreh Begaj.

Ai tha se një vëmendje shumë të veçantë ia kushtuan bashkëpunimit në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë, duke shtuar se ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Polonia i ka dhënë Shqipërisë dhe për kontributin për paqen dhe për stabilitetin e rajonit në Ballkanin Perëndimor.

“Polonia ka qenë ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës. I kërkova mikut tim Duda ndikimin e tij për një rivlerësim nga autoritete polake të situatës së përgjithshme gjeopolitike në Evropë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me synim lidhjen sa më shpejt të jetë e mundur e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën”, theksoi Begaj.

Presidenti Begaj theksoi se agresioni ushtarak rus në Ukrainë kërcënon gjithashtu fqinjët e Ukrainës, por sipas tij njëkohësisht edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. “Vlerësova qëndrimin dhe rolin e Polonisë në përballimin e valëve të refugjatëve nga Ukraina. I shpreha Presidentit Duda solidaritetin e plotë, si dhe evidentova qëndrimet e qarta të Shqipërisë në mbrojtje të sovranitetit dhe të integritetit territorial të Ukrainës”, tha Begaj.

I pyetur për çështjen e kufizimit të zonave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, Begaj u shpreh se: “Besoj se është një çështje që duhet të gjejë zgjidhje. Zgjidhja e saj është e bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, në aktet dhe ligjet ndërkombëtare, marrëveshjet ndërkombëtare, në ligjet e brendshme, por edhe në rregullat e fqinjësisë së mirë dhe të reciprocitetit. Greqia është një partner strategjik i yni, por është edhe një partner i rëndësishëm ekonomik”.

– “Duke u bërë anëtare e BE-së Shqipëria do të forcojë lidhjet ekonomike me Poloninë”

Presidenti Duda tha se shpreson që Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian, duke theksuar se “edhe një herë tjetër deklarova edhe mbështetjen tonë polake për përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësimin në BE”.

“Jemi bashkë anëtarë të Aleancës Euro-Atlantike. Shqipëria gjithashtu është anëtar aktiv që dërgon forcat e saj aty ku NATO ka nevojë”, tha Duda.

Presidenti polak theksoi se me presidentin Begaj kanë biseduar edhe për çështjet ekonomike dhe shtoi se duke u bërë anëtare e BE-së Shqipëria do të forcojë lidhjet ekonomike me Poloninë.

Në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë, duke falënderuar autoritetet shqiptare sipas tij për mbështetjen ndaj Ukrainës, Duda tha se “Agresioni është kundër pavarësisë së një kombi, është një agresion pa pikë kuptimi që prek të gjitha parimet ndërkombëtare. Agresioni duhet të mbarojë. Unë e theksoj shpesh që duhet të mbarojë vetëm me një mënyrë, me largimin e forcave ruse nga territori i pushtuar ukrainas në bazë të rregullave ndërkombëtare të cilat përcaktojnë kufijtë e një shteti. Territori i Ukrainës duhet t’i kthehet në mënyrë të plotë Ukrainës, kështu duhet të jetë përfundimi i kësaj lufte”.

“Sigurisht folëm edhe për Kosovën. E sigurova presidentin (Begaj) se ne jemi një nga ato vende që kurrë nuk ka ngritur pyetje për vendin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare”, u shpreh presidenti polak.

Begaj dhe Duda do të marrin pjesë edhe në forumin e përbashkët ekonomik Shqipëri-Poloni që do të zhvillohet në Tiranë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bizneseve nga të dy vendet.

Presidenti polak është takuar edhe me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe do të takohet edhe me kryeministrin Edi Rama.

Kategoritë
BotaLajme