Akar: Greqia i ka 3-fishuar territoret e saj në gati 200 vjet, por akuzon Turqinë për ekspansionizëm

Ministër i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar, deklaroi të enjten se Greqia po e akuzon paturpësisht Republikën e Turqisë për ekspansionizëm ndërsa territoret e saj janë trefishuar në 200 vitet e fundit.

Duke folur në mbyllje të aktiviteteve të Ditës së Vëzhguesve të Shquar të stërvitjes ushtarake “Efes-2022”, mbajtur në rrethin Seferihisar të Izmirit me pjesëmarrjen e Presidentit Recep Tayyip Erdogan, Hulusi Akar u ndal veçanërisht mbi problemet me Greqinë.

“Greqia fqinje dhe aleate, për fat të keq, po i vazhdon politikat e saj ekspansioniste dhe agresive përmes veprimeve e retorikës së saj provokuese. Ajo i vazhdon me këmbëngulje pretendimet e saj të paprecedente në botë, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, arsyen, logjikën dhe faktet, pa nxjerrë mësime nga historia.

Edhe pse vetë i ka trefishuar territoret e saj në gati 200 vjet, Greqia e akuzon paturpësisht Republikën e Turqisë për ekspansionizëm. Kjo është e pashpjegueshme me fakte historike, arsye dhe logjikë. Kjo është hipokrizi, dyfytyrësi.

Aktivitetet e Greqisë për t’u armatosur dhe për të krijuar aleanca janë përpjekje të kota. Ne vazhdojmë me këmbëngulje dhe kokëfortësi të bëjmë thirrje për dialog që problemet të zgjidhjen me rrugë e metoda paqësore dhe ta shtrijmë dorën tonë për paqe”, u shpreh ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare.

Pasi theksoi se Turqia nuk ka pretendime mbi të drejtat dhe territoret e askujt, Akar vuri në pah se megjithatë u kanë dhënë përgjigjen e merituar çdolloj veprimi dhe diskursi të padrejtë e të paligjshëm të Greqisë.

“NATO-ja është një organizatë sigurie dhe lufta kundër terrorizmit është një prej fushëveprimeve kryesore të saj. Solidariteti në luftën kundër terrorizmit është një kusht themelor për Aleancën. Si i vetmi shtet anëtar i NATO-s që lufton kundër më shumë se një organizate terroriste njëkohësisht, Turqia është barriera e fundit mes terrorizmit dhe Evropës. Siguria e Turqisë është siguria e të gjithë Evropës dhe NATO-s gjithashtu. Kjo çështje nuk duhet të injorohet kurrsesi”, tha ministri Akar ndër të tjera.

Kategoritë
BotaLajme