Akar: Greqia përpiqet të pengojë dhe sabotojë konsultimet me Turqinë

Athina përpiqet t’i paraqesë problemet midis Greqisë dhe Türkiye-s si “çështje që lidhen me NATO-n, SHBA-në dhe BE-në”, tha ministri turk i Mbrojtjes.

Duke theksuar gatishmërinë e Türkiye-s për dialog, paqe dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë në Egje dhe Mesdheun Lindor, ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, tha se Athina përpiqet të parandalojë dhe sabotojë konsultimet dhe bisedimet për ndërtim besimi me Ankaranë, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë një vizite në TGC Anadolu, e cila do të jetë anija më e madhe luftarake e Türkiye-s, Akar kujtoi takimet e ndërprera të konsultimeve dhe masat e ndërtimit të besimit, si dhe bisedimet në kuadër të NATO-s nga pala greke.

“Greqia jo vetëm që nuk dëshiron t’i zhvillojë këto bisedime, por gjithashtu përpiqet t’i parandalojë ato dhe i saboton”, tha Akar.

Disa politikanë grekë dhe zyrtarë të mbrojtjes po synojnë t’i “mbulojnë” çështjet lokale duke rritur vazhdimisht dhe me vetëdije tensionet me Türkiye-n, vuri në dukje Akar, duke thënë se Ankaraja po tregohet “e kujdesshme” sa më shumë që të jetë e mundur.

Ai theksoi se Athina përpiqet t’i paraqesë problemet midis Greqisë dhe Türkiye-s si “çështje që lidhen me NATO-n, SHBA-në dhe BE-në”.

“Të gjithë janë të vetëdijshëm për truket e tyre (Greqisë). Ne konsiderojmë dhe presim që të gjithë të jenë më të kujdesshëm në këtë drejtim”, shtoi ai.

Të gjitha pretendimet e Türkiye-s bazohen në fakte ligjore dhe të dhëna konkrete, tha Akar, duke shtuar: “Pavarësisht kësaj, ka shumë arsye të lidhura me Greqinë që nuk kemi asnjë rezultat. Ka shumë skandale në Greqi tani. Është skandali i përgjimeve, skandali i migracionit dhe ai i korrupsionit”.

Ai tha se opinioni grek “ka vënë re” dështimet e qeverisë së tij në Mesdheun Lindor, kështu që Athina “shpreson të mbulojë të gjitha duke rritur tensionet” me Ankaranë.

“Ne duam që ata (qeveria greke) të shohin se nuk është e mundur që ata të mbijetojnë duke krijuar tension dhe se devijimi nuk është fitimprurës” shtoi shefi i mbrojtjes turke.

Akar hodhi poshtë pretendimet se Türkiye është kërcënim dhe theksoi: “Turkiye nuk është kërcënim për askënd, përkundrazi, është një aleate e besueshme, e fortë dhe efektive”.

Türkiye, anëtare e NATO-s për më shumë se 70 vjet, është ankuar për veprimet dhe retorikën e përsëritur provokuese të Greqisë në rajon gjatë muajve të fundit, duke përfshirë armatimin e ishujve pranë brigjeve turke që duhet të jenë të çmilitarizuar sipas detyrimeve ndërkombëtare. Ankaraja thotë se hapat e tillë pengojnë përpjekjet e saj për paqe.

Kategoritë
BotaLajme