Akreditohen mbi 2 mijë vëzhgues për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit

Para mbledhjes së KQZ-së, ky institucion bëri të ditur se procesi i regjistrimit të votuesve me nevoja të veçanta ka filluar me 4 janar dhe do të zgjasë deri më 5 shkurt

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar 2.274 vëzhgues nga katër subjekte të ndryshme politike për procesin e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, raporton Anadolu.

Në mbledhjen e anëtarëve të KQZ-së u njoftua se ky është grupi i parë i vëzhguesve të subjekteve politike.

Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) janë akredituar 95 vëzhgues, nga Lidhja Demokratike e Kosovës janë akredituar 1.725 vëzhgues, nga “Koalicija Vakat” 234 vëzhgues dhe nga Demokratska Stanka 220 vëzhgues.

Gjithashtu, para mbledhjes së KQZ-së, ky institucion bëri të ditur se procesi i regjistrimit të votuesve me nevoja të veçanta ka filluar me 4 janar dhe do të zgjasë deri më 5 shkurt.

Sipas KQZ-së, votuesit me nevoja të veçanta përfshijnë këto kategori: Personat me sëmundje apo aftësi të kufizuar për shkak të së cilës nuk mund të dalin nga shtëpia; Personat me lëvizje të kufizuar në institucione, si: spitale, shtëpi për të moshuarit dhe strehimore; dhe Personat në rrethana të veçanta, të cilët nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkaqe sigurie apo janë në arrest shtëpiak.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.

Sipas vendimit të fundit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata, në 19 shtete të ndryshme të botës.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt të vitit 2021.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi