“Aksident në Autostradën ‘Arbën Xhaferi’, vdes një 44-vjeçar dhe katër persona lëndohen

Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në autostradën “Arbën Xhaferi”, ku kanë mbetur një i vdekur dhe katër të lënduar.

Këtë e ka konfirmuar për Ekonomia Online, zëdhënësi i policisë Daut Hoxha, i cili ka bërë të ditur se vdekjen e 44-vjeçarit e ka konfirmuar mjeku në vendin e ngjarjes, derisa të lënduarit janë dërguar në QKUK.

Po ashtu ai njoftoi se në aksident ishin të përfshirë dy automjeteve transportuese njëri në lëvizje, ndërsa tjetri i ndalur në shiritin emergjent.

“Ekipet relevante policore kanë dal ne vendin e aksidentit, përfshirë edhe ato të hetimeve të cilat po punojnë në identifikimin e shkaqeve të aksidentit dhe rrethanave që e karakterizojnë. Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori. Humbja e jetëve njerëzore si pasojë e pakujdesisë së drejtuesve te automjeteve po behet gjithnjë e më shqetësuese, andaj kërkojmë nga te gjithë drejtuesit e automjeteve te jenë më vigjilent dhe te respektojnë rregullat ne trafikun rrugor. Respektimi i shenjave në trafik dhe përshtatja e shpejtësisë me kushtet në rrugë është domosdoshmëri për një siguri me te madhe rrugore”, tha ai.

Po ashtu ai ka njoftuar se Policia e Kosovës, në vazhdimësi po merr masa që të parandalohen raste të tilla.

“Megjithatë, Policia e Kosovës po ndërmerr dhe do te ndërmerr ne vazhdimësi masa rigoroze ligjore ndaj te gjithë atyre që bien ndesh me rregullat dhe ligjet e trafikut dhe në një mënyrë apo tjetër rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve në rrugë”.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi