Aksidenti hekurudhor në Greqi, rritet në 36 numri i viktimave

Zëdhënësi i shërbimit zjarrfikës grek, Vatrakogiannis tha se 66 persona nga 130 të plagosurit në aksidentin hekurudhor midis një treni pasagjerësh dhe trenit të mallrave, janë në spitale

Ka shkuar në 36 numri i viktimave nga aksidenti hekurudhor në Greqi, njoftoi sot zëdhënësi i Shërbimit të Zjarrfikësve të Greqisë, Vasilis Vatrakogiannis, transmeton Anadolu.

Agjencia greke AMNA njoftoi se një tren pasagjerësh dhe një tren mallrash u përplasën në rajonin Tempi, në veri të qytetit Larisa.

“Të paktën 130 persona u plagosën”, tha Vatrakogiannis, duke folur para gazetarëve, raportoi shërbimi publik RTV ERT. Sipas tij, 66 të lënduar po trajtohen në spitale të ndryshme të afërta.

Treni i pasagjerëve thuhet se transportonte 346 persona dhe ishte nisur nga Athina për në Selanik. Sipas raportimeve, disa vagonë ​​kanë dalë nga shinat dhe të paktën tre prej tyre morën flakë.

Të paktën 30 automjete të emergjencës janë dërguar në vendngjarje.

“Zjarrfikësit që po punojnë në vagonë të caktuar përdorin katër automjete speciale me vinç”, tha Vatrakogiannis.

Policia greke dhe ekspertët mjekësorë nisën procesin e identifikimit të trupave në spitalin e përgjithshëm në Larisa.

Türkiye fqinje u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave, qytetarëve dhe qeverisë greke për aksidentin hekurudhor.

“Me pikëllim mësuam lajmin se shumë njerëz humbën jetën dhe u plagosën mbrëmë si pasojë e një aksidenti hekurudhor në Greqinë fqinje”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme turke.

Në një bisedë telefonike, ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu i ka përcjellë ngushëllimet homologut të tij grek, Nikos Dendias.

Po ashtu edhe presidenti e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti në rrjetet sociale kanë shprehur ngushëllime për viktimat e aksidentit hekurudhor në Greqi.

Presidentja Osmani tha se Kosova qëndron pranë popullit grek pas aksidentit shkatërrues në Greqi, ndërkaq kryeministri Kurti e konsideroi tronditës lajmin e aksidentit dhe u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave dhe u uroi shërim të lënduarve.

Edhe krerët shtetëror të Maqedonisë së Veriut shprehën ngushëllime për viktimat e aksidentit hekurudhor.

“Më vjen shumë keq për aksidentin hekurudhor që ndodhi mbrëmjen e djeshme pranë Larisës. Ngushëllime të sinqerta për familjet e viktimave dhe për të gjithë popullin grek. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë”, shkroi në rrjetet sociale Stevo Pendarovski, president i Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, nga ana e tij, i ka shprehur ngushëllimet e tij kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis dhe të gjithë qytetarëve grekë për humbjen tragjike të jetëve në aksidentin hekurudhor në vend

Gjithashtu edhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka reaguar përmes rrjeteve sociale duke u shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe duke u uruar të lënduarve shërim të shpejtë.

Kategoritë
BotaLajme