Aksion i madh i policisë britanike: Në shënjestër berberë, sallone bukurie dhe larëse makinash

Qindra biznese në Mbretërinë e Bashkuar – përfshirë berberi, sallone kozmetike dhe larëse makinash – ishin në qendër të një operacioni trejavor kundër pastrimit të parave dhe krimit të rrugës.

Policia kontrolloi gjithsej 265 objekte, duke përfshirë edhe dyqane të cigareve elektronike (vape), sallone bukurie, dyqane ëmbëlsirash amerikane dhe larëse makinash.

Sipas Agjencisë Kombëtare për Luftën kundër Krimit (NCA), në këtë aksion u arrestuan 35 persona, ndërsa 97 persona që dyshohet të jenë viktima të skllavërisë moderne u morën në mbrojtje nga policia. Gjithashtu, u bllokuan llogari bankare me mbi një milion paund (rreth 2.26 milionë KM).

Janë konfiskuar më shumë se 40,000 paund në para të gatshme, 200,000 cigare, 7,000 paketime duhani, si dhe mbi 8,000 vape ilegale. Për më tepër, policia ka zbuluar dy plantacione kanabisi me gjithsej 150 bimë dhe ka mbyllur 10 biznese.

Operacioni, i quajtur Machinize, përfshiu 19 agjenci policore të ndryshme dhe ishte një ndër ndërhyrjet më të mëdha të këtij lloji.

Sipas vlerësimeve të NCA-së, në Mbretërinë e Bashkuar çdo vit qarkullohen rreth 12 miliardë paund (rreth 27 miliardë KM) nga krimi përmes bizneseve të vogla si berberë, sallone bukurie dhe larëse makinash – shpesh të përdorura si paravan për pastrim parash nga grupet kriminale.

Rachel Herbert, zëvendësdrejtoreshë në Qendrën Kombëtare për Luftën kundër Krimit Ekonomik pranë NCA-së, deklaroi se bizneset me fluks të lartë të parave të gatshme njihen si mjete të përdorura për pastrim parash, që pastaj mundësojnë aktivitete kriminale të dëmshme.

Ndërkohë, ministri i sigurisë Dan Jarvis theksoi se ky operacion tregon përmasat dhe kompleksitetin e krimit me të cilin përballen qytetet britanike, raporton Sky News.

Kategoritë
BotaLajme