Aktakuza ndaj ish-Presidentit/ Çfarë ndodhi mes aktores së filmave porno dhe Donald Trump

Nga Mattea Bubalo & Robin Levinson King, BBC

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është akuzuar se ka fshehur pagesat ndaj ish-aktores të filmave pornografike Stormy Daniels. Kjo e fundit pretendon se ajo dhe Trump kanë pasur marrëdhënie seksuale dhe se ajo pranoi 130,000 dollarë nga ish-avokati i tij përpara zgjedhjeve të 2016-ës në këmbim të heshtjes së saj.

Avokati, Michael Cohen, është burgosur për akuza të shumta. Ish-presidenti ka mohuar se ai ka pasur ndonjë raport me Daniels që kur akuzat u bënë të ditura në vitin 2018.

Daniels, emri i vërtetë i së cilës është Stephanie Clifford, ka deklaruar shpesh nëpër media se ajo është takuar me Trump në një turne golfi në korrik të 2016, raporton abcnews.al.

Ajo pretendoi se dyshja kishin bërë seks një herë në dhomën e tij të hotelit në Lake Tahoe, një zonë turistike midis Kalifornisë dhe Nevadës. Një avokat i Trump në atë kohë e mohoi diçka të tillë.

“Ai nuk dukej i shqetësuar për këtë. Ai ishte pak arrogant,” tha ajo në një intervistë nëse Trump i kishte thënë të heshtte për natën e që ata supozohej që kishin kaluar së bashku.

Gruaja e Trump në atë kohë, Melania Trump, nuk ishte në turne dhe sapo kishte lindur. Në vitin 2016, disa ditë përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA, Daniels tha se avokati i Trump, Michael Cohen i dha asaj 130,000 dollarë në mënyrë që ajo të mos flistë më për këtë çeshtje.

Ajo tha se pranoi paratë për arsye se ishte shumë e shqetësuar për sigurinë e familjes së saj. Daniels tha se ajo ishte kërcënuar ligjërisht dhe fizikisht për të mbajtur të fshehtë këtë çështje, raporton abcnews.al.

Në vitin 2011, pak pasi pranoi të jepte një intervistë për revistën In Touch në lidhje me raportin e supozuar, ajo tha se një burrë i panjohur i ishte afruar asaj dhe vajzës së saj të mitur në një park në Las Vegas dhe i kishte thënë që “të linte Trumpin të qetë”.

“Kjo është një vajzë e vogël e bukur. Do të ishte turp nëse diçka do t’i ndodhte nënës së saj,” tha ajo duke thënë atë në një intervistë të vitit 2018 me 60 Minutes të CBS.

Intervista me In Touch nuk u publikua kurrë e plotë deri në vitin 2018. Përpara se të transmetohej invervista, një kompani që kishte lidhje me Cohen kërcënoi Daniels me një padi prej 20 milionë dollarësh, duke argumentuar se ajo kishte prishurmarrëveshjen e tyre.

Daniels tha për emisionin CBS se rrezikonte të paguante një gjobë prej miliona dollarësh duke folur në televizionin kombëtar, por që kjo ishte shumë e rëndësishme për të në mënyrë që ajo të mbronte veten.

A është e paligjshme të paguash dike që të mos flasë?

Nuk është e paligjshme t’i paguash dikujt para në këmbim të një marrëveshje të fshehtë. Por meqenëse pagesa u bë një muaj para zgjedhjeve presidenciale, kritikët e Trump argumentuan se paratë mund të përbënin një shkelje të fushatës.

Në gusht 2018, Cohen u deklarua fajtor për evazion fiskal dhe thyerje të rregullave të financimit të fushatës, pjesërisht në lidhje me pagesën e tij ndaj Daniels dhe një dashnore tjetër të supozuar të Trump,, raporton abcnews.al.

Edhe pse fillimisht ai tha se Trump nuk kishte asnjë lidhje me pagesat, Cohen më vonë dëshmoi nën betim se Trump e kishte urdhëruar atë të paguante aktoren në fjalë disa ditë përpara zgjedhjeve të 2016-ës.

Trump e ka pranuar personalisht diçka të tillë, e cila nuk është e paligjshme, por ka mohuar aferën dhe çdo keqbërje në lidhje me ligjet e fushatës. Cohen u burgos për akuza të shumta pasi u deklarua fajtor për shkeljen e ligjeve gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Pse u padit Trump?

Në fillim të këtij viti, Prokurori i Qarkut të Nju Jorkut, Alvin Bragg, nisi hetimet kundër ish presidentit për paratë që ai i kishte paguar zonjës Daniels, duke caktuar një juri për mbledhjen e provave.

Juria caktohet dhe mblidhet nga një prokuror për të përcaktuar nëse ka prova të mjaftueshme për të vazhduar çështjen. Të enjten, ajo juri thuhet se votoi për ngritjen e akuzave penale, duke e bërë Trump ish-presidentin e parë të SHBA-së që akuzohet për krime.

Në rrjetin e tij të mediave sociale, Truth Social, Trump e quajti hetimin një gjueti politike shtrigash nga një sistem drejtësie të korruptuar.

Kategoritë
BotaLajme