Aktakuzë ndaj një personi në Gjakovë, ngacmoi seksualisht një nxënëse të mitur në një shkollë fillore

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarit D.LL për veprën penale “Ngacmim seksual”.

Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se rasti kishte ndodhur më 26 mars, ku i dyshuari kishte ngacmuar një nxënëse të mitur të një shkolle fillore në Gjakovë.

“Gjakovë, 22 prill 2025 – Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik, se ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurit me inicialet D.Ll., për veprën penale “Ngacmimi Seksual” nga neni 183 par.4, lidhur me par.1, të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, ndër tjera ceket se i pandehuri me inicialet D.Ll., me datë 26.03.2025, në Gjakovë, saktësisht në Shkollën e Mesme të Ulët “M.K.”, e ngacmon seksualisht personin tjetër, e cila është viktimë e ndjeshme për shkak të moshës, duke u përfshirë në sjellje të padëshiruar verbale të natyrës seksuale ndaj të dëmtuarës/e mitur, veprime këto me të cilat të dëmtuarës/e mitur, i ka cenuar dinjitetin dhe i ka krijuar mjedis objektivisht frikësues, degradues dhe poshtërues”, thuhet në njoftim.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë, gjithashtu të pandehurit ti vazhdohet masa e paraburgimit deri në aktgjykimin e plotfuqishëm”.

Kategoritë
LajmeVendi