Aktori kosovar Alban Ukaj: Festivali i Filmit në Sarajevë ishte shkaku i qëndrimit tim në Sarajevë

Ukaj karrierën e tij të aktrimit e filloi në Prishtinë, kurse 21 vjet më parë shkoi në Sarajevë për të studiuar në Akademinë e Arteve Skenike.

I ftuar i sotëm në “Kafe me…” ne sheshin e Festivalit të Filmit në Sarajevë (SFF) ishte aktori dhe regjisori kosovar dhe i BeH-së, Alban Ukaj, raporton Anadolu Agency (AA).

Ukaj karrierën e tij të aktrimit e filloi në Prishtinë, kurse 21 vjet më parë shkoi në Sarajevë për të studiuar në Akademinë e Arteve Skenike, ndërkaq ka luajtur në një numër rolesh në filmat vendorë, rajonalë dhe ndërkombëtarë.

“Kanë kaluar 21 vjet që jam shpërngulur në Sarajevë dhe mendoj se arsyeja kryesore që qëndrova këtu ishte SFF. Sigurisht, festivali ishte shkas, por ka diçka në këtë qytet, ka një ndjenjë mes dashurisë dhe urrejtjes, por që nuk mund ta braktisësh kurrë. Në Sarajevë mund të ndihesh i lirë dhe të kesh mundësi të mësosh diçka të re”, tha Ukaj.

Duke folur rreth kësaj periudhe, Ukaj tha se fillimi i karrierës së tij të aktrimit në Sarajevë nuk ishte i lehtë, duke pasur parasysh mos njohjen e gjuhës boshnjake. Megjithatë, ai shpejt i kapërceu barrierat dhe një vit pasi mbërriti në Sarajevë, mori një rol në filmin e regjisorit Pjero Zhalica.

Ukaj pas tij ka një filmografi të pasur dhe njohje ndërkombëtare. E fundit ndër to është njohja e veçantë në Festivalin e 75-të të Kanës për filmin “Tori dhe Lokita”, me regji të regjisorëve belgë Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, në të cilin ai luan një nga rolet kryesore.

Filmi flet për problemet e dy fëmijëve, refugjatë nga Afrika, të cilët përpiqen të gjejnë rrugën e tyre në Belgjikë.

“Është shumë interesante se sa shumë njerëzit e nënvlerësojnë lirinë dhe sa shpejt e harrojmë atë që na ndodhi neve. Të gjithë ne në një moment ishim dikush që shihet në atë mënyrë”, tha Ukaj.

Aktori preku edhe për marrëdhëniet mes Sarajevës dhe Prishtinës, pra pamundësinë e aktorëve kosovarë për të ardhur në SFF për shkak të problemeve administrative dhe kërkesë së vizës.

“I kuptoj të dyja palët. Po ashtu edhe administratën e SFF-së, si dhe aktorët nga Kosova, por vërtet humbet dinjiteti duke u përpjekur të marrësh vizë. Ky është një nga festivalet më të rëndësishme në këtë pjesë të Evropës. Filmat kosovarë kanë bërë gjëra të jashtëzakonshme në vitet e fundit dhe duhet të jenë të pranishëm në Sarajevë”, tha Ukaj.

Duke folur për projektet e ardhshme, Ukaj tha se do të punojë në një film bashkëprodhim izraelito-italiano-amerikan, në të cilin do të aktrojnë edhe një grup aktorësh nga Rumania, Polonia, Ukraina dhe Italia.

Kategoritë
Kulturë