Alarmon Haradinaj: Të rriten pagat para liberalizimit të vizave, Kosova mund të mbetet pa profesionistë

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që  të rrisë buxhetin për paga.

Haradinaj ka thënë se nëse pagat në sektorin publik nuk rriten deri në janar të vitit të ardhshëm, Kosova rrezikon që të mbetet pa profesionistë të shumë fushave, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Kreu i AAK-së ka thënë se rritja e pagave në sektorin publik, do të përmirësonte edhe pozitën e punëtorëve të sektorit privat, duke ndikuar që edhe pagat e tyre të rriten.

Nëse kjo nuk ndodh, Haradinaj ka thënë se kjo Qeveri do të mbahet përgjegjëse për një “tragjedi” tjetër.

“Nga Qeveria kërkoj që ta rrisë buxhetin për paga.

Më 1 janar liberalizohen vizat, dhe nëse nuk fillojmë qysh sot me rritjen e pagave do të humbim shumë profesionistë.

Është rritë çmimi i energjisë dhe të gjithë duhet me pagu, është rritë kosotoja e jetës në përgjithësi e së fundmi edhe tatimi në pronë. Si ka mundësi mos me pasë edhe rrije pagash. Cila logjikë e thotë këtë. Nëse paga ishte 600 euro dikur, sot e ka vlerën 400. Nëse ne shkojmë me këtë trend, pa rritje pagash deri më 1 janar, juve do të ju faturohet edhe një tragjedi e re. Nëse rriten pagat në sektorin publik, përmirësohet menjëherë edhe pozita në sektorin privat”, tha Haradinaj në seancën e Kuvendit. /Reporteri.net/

Kategoritë
Lajme