Aleatja e Trump-it trondit me deklaratën në ditën e vdekjes së Papa Françeskut: “E keqja u mposht nga dora e Zotit”

Aleatja e presidentit Donald Trump dhe kongresistja nga Georgia, Marjorie Taylor Greene, shkaktoi reagime të shumta pasi publikoi një status në rrjetin social X, për të cilin shumëkush mendon se i referohej vdekjes së Papa Françeskut.

Në ditën kur u njoftua vdekja e Papës, Greene shkroi: “Sot ndodhën ndryshime të mëdha në udhëheqjen globale. E keqja u mposht nga dora e Zotit.”

Ky postim shkaktoi valë reagimesh në rrjetet sociale, ku shumica e përdoruesve e kritikuan ashpër.

“Ju jeni turpi i Amerikës”, “Si mund të jetoni kështu?”, “Çfarë lloj të krishtere jeni ju?”, “Po e festoni vdekjen e Papës?”, ishin vetëm disa nga komentet e zemëruara.

Edhe pse ka lindur si katolike, Greene shpesh ka qenë kritike ndaj Kishës Katolike dhe Vatikanit.

“Më është dashur ta kuptoj se nuk mund t’i besoj udhëheqjes së Kishës për të mbrojtur fëmijët e mi nga pedofilët. Ata mbrojnë përbindësha, edhe brenda radhëve të tyre,” kishte shkruar Greene më parë.

Ajo gjithashtu ka kritikuar udhëheqësit e Kishës Katolike në SHBA për ndihmën që u japin emigrantëve pa dokumente.

“Peshkopët janë të zënë duke shkatërruar kombin tonë, duke përdorur paratë e taksapaguesve për të mbështetur një pushtim të paligjshëm përtej kufijve tanë,” kishte shkruar ajo në prill të vitit 2022.

Kategoritë
BotaLajme