Ambasada e Federatës Ruse në Bosnje dhe Hercegovinë ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të Ambasadës së SHBA-së, në të cilat pala ruse akuzohet për “ndikim të keq” dhe kërcënim ndaj integritetit territorial të BiH.
“Rusia nuk ka frikë se do të humbasë monopolin e gazit në Bosnje dhe Hercegovinë. Kemi theksuar vazhdimisht se përshëndesim diversifikimin energjetik në BiH – në interes të qytetarëve të këtij vendi, e jo në interes të SHBA-së,” thuhet në deklaratën e ambasadës ruse, duke shtuar se Uashingtoni, ndërsa akuzon Moskën, në fakt punon për të vendosur monopolin e vet energjetik.
Pala ruse akuzon SHBA-në se, “duke ushtruar presion ndaj politikanëve lokalë,” përpiqet të imponojë një “rrugë gazi pa alternativë” dhe thekson se amerikanët janë përgjegjës për “shkatërrimin e Gjermanisë me shpërthimin e Nord Stream-it”.
“Ambasada e SHBA-së gënjen kur pretendon se Rusia kërcënon integritetin territorial të BiH. Përkundrazi, veprimet reale të SHBA-së mund të çojnë në ndarjen e vendit. Pretendimet e tyre, si ajo që ‘historia do të gjykojë ashpër ata që vendosin interesat e Rusisë mbi interesat e qytetarëve të BiH,’ janë kërcënime të hapura,” thuhet në deklaratë.
Ambasada ruse ngre më tej pyetjet: “A janë interesat e qytetarëve të BiH të përfaqësuara ekskluzivisht nga Ambasada e SHBA-së? Dhe a mendojnë me të vërtetë se qytetarët e BiH do të pranojnë me kënaqësi të paguajnë gazin amerikan shumë më të shtrenjtë, në vend të atij rus më të përballueshëm?”
Në përfundim, Moska akuzon Uashingtonin për përpjekje për të eliminuar politikanët që mbrojnë interesat kombëtare, duke theksuar: “Amerikanët duan vetëm marioneta të bindura. Ata kanë frikë nga konkurrenca e hapur me Rusinë, duke përdorur sanksione dhe metoda të tjera të pamëshirshme, siç është vështirësimi i pagesave për gazin rus.”
Ambasada ruse është pajtuar me palën amerikane në një pikë: “Historia do të tregojë kush kishte të drejtë.”
Ky reagim vjen pas akuzave të Ambasadës së SHBA-së ndaj Rusisë për kërcënime dhe ndikim të keq në BiH, duke theksuar rëndësinë e projektit energjetik të interkonjeksionit jugor për forcimin e sigurisë energjetike të Federatës së BiH-së.