Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier është deklaruar para mediave pas përfundimit të takimit me kryeministrin Albin Kurti, të korit diplomatik në vendin tonë.
Hovenier tha se takimi në fjalë është ftuar nga kryeministri Albin Kurti dhe lidhet me informimin e ambasadorëve pas sulmit të 29 nëntorit në “Ibër Lepenc”.
Me këtë rast, ambasadori Hovenier tha se Amerika e dënon fuqishëm këtë sulm të tmerrshëm, por tha se është herët për të dhënë konstatime se kush në fakt qëndron prapa këtij sulmi.
“Kurti ftoi korin diplomatik në një takim dhe bisedë për sulmin e tmerrshëm. Në emër të Amerikës, mund të them se e dënojmë sulmin e tmerrshëm në infrastrukturën kritike të Kosovës. Amerika e përkrah një hetim të plotë. I japim përkrahje institucioneve të Kosovës për hetim dhe që autorët të dalin para drejtësisë”, deklaroi ambasadori Hovenier.
Hovenier është pyetur edhe për masat që i duhen vendosur Serbisë, pas këtij sulmi, meqë rast tha se nuk jemi në pikën që mund të thuhet se kush është përgjegjës për këtë sulm.
“Në këtë pikë SHBA nuk është në pozitë që të thotë se kush qëndron prapa këtij sulmi. Ne kemi ofruar mbështetjen tonë autoriteteve kosovare për hetimet dhe që autorët të gjenden sa më parë. Nuk jemi në pozitë të spekulojmë për ndonjë grup specifik ose shtet, është ende herët”, u shpreh ambasadori amerikan.
Gjithashtu ai tha se tashmë kanë bërë një reagim publik në lidhje me këtë situatë dhe se s’do ta përsëris më.
“Ne kishim një takim me kryeministrin Kurti, kori ndërkombëtar këtu, dhe Kurti pati mundësinë të na njoftojë për zhvillimet në mbrëmjen e së premtes. Ne kemi bërë një reagim publik dhe nuk do ta përsërisë”, përfundoi ambasadori./Lajmi.net/