Ambasadori amerikan i shkon në zyrë Kurtit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, i ka shkuar në takim të enjten kryeministrit Albin Kurti.

Nga Qeveria kanë thënë për KALLXO.com se bëhet fjalë për një takim javor.

Takimi i sotëm vjen pasi pasi SHBA-ja e sanksionoi Kosovën me përjashtim në stërvitjet ushtarake “Defender Europe 2023”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës duke kërkuar që kryetarët e komunave në veri të punojnë në objekte alternative dhe policia të zhvendoset nga ndërtesat komunale.

Përkundër sanksioneve kryeministri Kurti ka thënë sot se kemi dallime në qasje me ShBA-në por assesi dallime thelbësore e vendimtare.

“Ka raste kur na dallojnë nga pak qasjet mirëpo këto nuk janë gjëra të cilat janë thelbësore dhe kurrsesi vendimtare, sot në ndodhemi në një situatë të vështirë për shkak të grupeve të armatosura të cilat shtiren si protestues e në fakt janë banda kriminale në veriun e Kosovës, prej të cilëve të çlirohet edhe republika jonë demokratike por edhe komuniteti serb dhe për këtë e kemi mbështetjen e SHBA-ve” – tha kryeministri Kurti.

Që nga e hëna në veri janë duke u mbajtur protesta për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të ri në ndërtesat e komunave veriore.

Të hënën, protestuesit e mbledhur në Zveçan kanë sulmuar pjesëtarët e KFOR-it ku kanë lënduar 30 prej tyre.

Protestat janë duke vazhduar edhe sot në veri të vendit.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi