Ambasadori amerikan: Jemi të nderuar që Kosova shpalli ditë zie për Madeleine Albright

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se ShBA-ja ndihet e nderuar që Kosova sot shpalli Ditë Zie në nderim të jetës dhe veprës së Ish-sekretares së shtetit, Madeleine Albright.

Hovenier tha se lidershipi i Albright shpëtoi jetë dhe vendosi siguri për gjeneratat e ardhshme“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të nderuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shpallur ditën e sotme Ditë zie për nder të Madeleine Albright, udhëheqja e së cilës shpëtoi jetë dhe siguroi siguri dhe prosperitet për brezat e ardhshëm. Faleminderit që e keni njohur Madeleine sot dhe vazhdoni të nderoni kujtimin e saj duke ndërtuar një demokraci të begatë, multietnike”, ka thënë Hovenier.

Ish-kryediplomatja amerikane, Madeleine Albright vdiq para dy ditësh në moshën 84 vjeçare.

Ndërkaq sot në Kosovë është shpallur ditë zie në nderim të veprës së ish-Sekretares së Shtetit dhe ndihmës ndaj popullit të Kosovës në vitin 1999.

Albright ishte një figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton, së pari shërbeu si ambasadore e SHBA në Kombet e Bashkuara përpara se të bëhej diplomatja më i lartë i vendit në mandatin e saj të dytë. Ajo mbrojti zgjerimin e NATO-s, nxiti që aleanca të ndërhynte në Ballkan për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik, u përpoq të reduktonte përhapjen e armëve bërthamore dhe mbrojti të drejtat e njeriut dhe demokracinë në të gjithë globin.

Albright është e njohur për rolin e saj kyç në negociatat në Rambuje mes palës shqiptare dhe asaj serb, që i paraprin fushatës së bombardimeve të NATO-s në Serbi.

Në qendër të Prishtinës, në një shesh që mban emrin e ish-sekretares amerikane, është edhe busti i saj, në shenjë nderimi për rolin e zonjës Albright për çlirimin e Kosovës, 22 vjet më parë.

Kategoritë
LajmeVendi