Ambasadori britanik bën thirrje që Deklarata për të Zhdukurit të gjejë zbatim sa më shpejt

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, e ka përshëndetur arritjen e dakordimit në Bruksel mbi Deklaratën për të Zhdukurit.

Ai ka bërë thirrje që sa më shpejtë të nis zbatimi i kësaj deklarate në mënyrë që të zbulohet fati i të pagjeturve nga lufta e fundit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Mbretëria e Bashkuar mirëpret angazhimin e presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti për të miratuar Deklaratën e Personave të Zhdukur. Familjet dhe shoqëria e gjerë në Kosovë dhe Serbi do t’i besojnë këtij angazhimi vetëm nëse qeveria e zbaton atë. Ndaj bëj thirrje për zbatimin e shpejtë të deklaratës me në qendër nevojat e familjeve”, ka shkruar Abbott.

“Vitet po kalojnë dhe pikëllimi i familjarëve të të zhdukurve nuk shuhet. Ne duhet të diskutojmë së bashku, në nivel njerëzor, për të mësuar për të dashurit tanë. Këto ishin mesazhet që mora nga takimi im me të rinjtë në Qendrën Burimore të Personave të Zhdukur”, ka shkruar Abbott.

Kosova dhe Serbia, më 2 maj u pajtuan për të nisur kërkimet për të pagjeturit, ku numërohen mbi 1,600 sosh.

Këtë dakordim e ka mirëpritur edhe Bashkimi Evropian, që sipas tyre, tregon se dialogu po sjell rezultate.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, u shpreh se dialogu ka të bëjë me gjetjen e zgjidhjes për këta njerëz e që, siç e potencoi ai, nuk është e vogël.

“Dhe kjo është gjithashtu një dëshmi se dialogu po sjell rezultate. Ndoshta jo aq shpejt sa do të dëshironim ne, dhe njerëzit e prekur nga kjo do të dëshironin, por ka lëvizje në këtë drejtim dhe pikërisht për këtë po e bëjmë këtë dhe pse po e vazhdojmë këtë gjë. Sepse në fund dialogu ka të bëjë me gjetjen e zgjidhjes për njerëzit, për të zgjidhur situatën e tyre që nuk është optimale, dhe për të dhënë edhe perspektivë për një të ardhme më të mirë”, tha Stano në konferencën e së enjtes. /Reporteri.net/.

Kategoritë
LajmeVendi