Ambasadori britanik kërkon marrëveshje përtej targave: Situata aktuale paraqet rrezik për sigurinë dhe jetesën e njerëzve

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott është shprehur i zhgënjyer për mosarritjen e një marrëveshjeje për çështjen e targave të automjeteve, në takimin e sotëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Ai tha se situata aktuale paraqet rrezik për sigurinë dhe jetesën e njerëzve të zakonshëm në Kosovë.

“Është zhgënjyese që sot nuk është arritur asnjë marrëveshje. Situata aktuale paraqet rrezik për sigurinë dhe jetesën e njerëzve të zakonshëm në Kosovë dhe largon vëmendjen nga misioni i qeverisë për ta përmirësuar jetën e tyre. Të gjitha palët duhet t’i shmangin veprimet që mund të çojnë në një përshkallëzim të tensionit ose të shkaktojnë kërcënime për sigurinë”, shkroi Abbott.

Ai tha se nevojitet urgjentisht të bëhet përparim drejt një marrëveshjeje normalizimi që do t’i shmangte mosmarrëveshjet për çështjet si targat.“Nevoja urgjente është të bëhet përparim në një marrëveshje normalizimi që do t’i bënte të panevojshme mosmarrëveshjet për çështje të tilla si targat”, shkroi ambasadori.

Kategoritë
LajmeVendi