Ambasadori Matti Nissinen kërkon evitimin e narrativave të rreme dhe promovimin e një elektorati të informuar, transmeton Gazeta Metro.
Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, u ka bërë thirrje liderëve politikë të tregohen të kujdesshëm me diskursin e tyre, duke shmangur narrativat e rreme gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit. Sipas tij, është thelbësore që Kosova të kultivojë një elektorat të informuar dhe të ruajë një proces demokratik.
Në një konferencë mbi “Ndikimin e aktorëve të huaj në sigurinë kombëtare” të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe zyra Konrad Adenauer Stiftung (KAS), Nissinen theksoi se figurat publike duhet të kenë kujdes për ndikimin e deklaratave të tyre, duke mos përhapur informacione të pasakta që mund të nxisin destabilizimin. “Kosova duhet të zgjerojë mjetet e saj për luftimin e dezinformatave dhe të krijojë sisteme të monitorimit për t’i identifikuar ato shpejt,” tha ambasadori.
Ai gjithashtu theksoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për përpjekjet e dialogut Kosovë-Serbi dhe rëndësinë e integrimit euro-atlantik për sigurinë e rajonit. “Integrimi në strukturat euro-atlantike është masë jetike për një të ardhme të sigurt për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor,” shtoi Nissinen, duke shprehur gatishmërinë e Finlandës për të ndarë përvojën e saj në përballjen me kërcënimet hibride./gazetametro.net