Ambasadori gjerman del me qëndrim për targat, i ngarkon me përgjegjësi edhe Listën Srpska

Gjermania i kërkon Kosovës që t’i japë kohë procesit të heqjes së targave ilegale. Ndryshe nga vendet tjera të QUINT’it shteti gjerman ka dalë me një qëndrim të ri duke e ngarkuar me përgjegjësi edhe Listën Srpska. Rohde u ka kërkuar atyre  që të angazhohen t’u shpjegojnë serbëve se duhet t’i përdorin targat e Kosovës. 

Gazeta Express

Diplomati gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, më në fund, është deklaruar rreth vendimit të Qeverisë së Kosovës për ta zbatuar në faza vendimin  për heqjen nga përdorimi të targave që Serbia i lëshon ilegalisht për serbët e Kosovës.

Gjermania vazhdon t’i japë të drejtë Kosovës për targat, por thotë se procesi duhet i tranzicionit duhet të zgjasë më shumë, në total 12 muaj.

“Duhet më shumë dakordim në çështjen e targave: Ne si BE dhe QUINT kemi qenë gjithmonë të qartë se Kosova ka të drejtë që heq targat KM dhe të tjera. Kjo është në linjë me marrëveshjet e Brukselit”, ka shkruar Rohde në Tëitter, transmeton Gazeta Express.

“Ne po ashtu kemi qenë gjithmonë të zëshëm për një periudhë tranzicioni më të gjatë (12 muaj në total), siç është parashikuar në marrëveshjen e përmendur dhe gjithashtu për të zgjidhur në mënyrë pragmatike çështjet teknike që kanë mbetur. Akoma mendojmë se këshilla jonë duhet të ndiqet”.

Diplomati gjerman ka një kërkesë edhe për përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës. Rohde thotë se ata duhet t’ia tregojnë realitetin serbëve të Kosovës, duke u treguar se në territorin e saj përdorën targat e Kosovës.

“Por, gjithashtu, do të doja t’i shihja përfaqësuesit e serbëve të Kosovës duke kontribuuar në mënyrë konstruktive për deeskalim. Për shembull, duke ua shpjeguar serbëve të Kosovës realitetin se në Kosovë duhet të përdorësh targa të Kosovës”, shkroi Rohde.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar të premten, menjëherë pasi Kryeministri Albin Kurti me kabinetin e tij, vendosi që të mos e shtyjë afatin për konvertimin e targave, por të bëhet tranzicioni në disa faza.

Nga Departamenti i Shtetit thanë se janë “të shqetësuar dhe të zhgënjyer” që Kurti nuk e dëgjoi këshillën e tyre për ta shtyrë 10 muaj zbatimin e marrëveshjes për targat ilegale.

Kategoritë
Lajme