Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se qëndrimi i shtetit të tij për sa i përket masave të BE-së ndaj Kosovës është se ato duhet të hiqen.
Rohde në një intervistë për “Info Magazine” ka thënë se për masat është diskutuar dy javë më parë, por sipas tij, ka pasur disa veprime unilaterale nga Qeveria e Kosovës, për të cila tha se janë kritikuar nga BE-ja dhe ShBA-ja
“Kemi një atmosferë që këto masa mund të hiqen, dhe shpresojë se mund të hiqen së shpejti. Kur flas për veprimet unilaterale, nuk po flas për bisedat me fqinjët, por me neve, me miqtë e Kosovës sepse ne i vuajmë pasojat e veprimeve unilaterale”, tha Rohde në Klan Kosova.
Më tej, ai foli edhe për sulmin terrorist në Banjskë dhe kriminelin Millan Radoiçiq, i cili vazhdon të jetë ende i lirë në Serbi, gjë për të cilën tha se kjo është e papranueshme
“Vitin e kaluar kemi pasur një sulm të tmerrshëm në Banjskë. Terroristët kanë sulmuar dhe autorët e krimit, siç është Millan Radoiciq është në liri dhe nuk është akuzuar zyrtarisht. Ai vazhdon të jetë ende i lirë dhe kjo nuk është e pranueshme”.
“Mund të siguroheni që Gjermania vazhdimisht pret nga Serbia që të veprojë. Por, ne po kërkojmë nga dy palët sjellje konstruktive. Më duhet të them pas Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit nuk kemi parë kurrfarë përparimi”, tha Rohde.