Ambasadori rus vjen me një ‘këshillë’ tjetër: Bosnja duhet të mendojë mirë rreth anëtarësimit në BE

Ambasadori rus në Bosnjë dhe Hercegovinë, Igor Kalabukhov u “sugjeroi” sërish të shtunën qytetarëve të këtij vendi se “duhet të mendojnë mirë nëse kanë nevojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

Duke vënë në pikëpyetje më parë të drejtën e BeH-së për t’u bashkuar me NATO-n duke kërcënuar me një përgjigje nga Moska ndaj një skenari të tillë, Kalabukhov tani ka shtrirë fushatën e tij propagandistike kundër Bashkimit Evropian, të cilin ai e akuzoi për ndjekjen e një politike neo-perandorake ndaj vendeve joanëtare, përcjell Telegrafi.

Në një tekst autorial për gazetën e Banja Llukës “Glas Srpske”, Kalabukhov shkruan se sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për shkak të agresionit kundër Ukrainës janë në fakt dëshmi se Perëndimi ka humbur të gjitha “pikët morale, kështu që Moska nuk ka me kë të flasë për gjendjen aktuale”.

“Një organizatë si Bashkimi Evropian është gjithashtu e degraduar, institucionalisht dhe moralisht. Dihet se sot, jashtë të ashtuquajturit ‘Perëndim kolektiv’, praktikisht askush nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Moskës, por pakënaqësia brenda BE-së po rritet për shkak të histerisë anti-ruse jashtë shtetit dhe ka pasoja të gjera për vendet e BE-së”, tha Kalabukhov, duke shtuar se Brukseli po shantazhonte Ballkanin Perëndimor duke e shpallur kontinentin një zonë interesi.

Kështu, ai “u sugjeroi” qytetarëve të BeH se “duhet të harrojnë standardet evropiane dhe t’i kthehen vetes”, sepse, sipas tij, “institucionet evropiane të krijuara për të ruajtur ekuilibrin e interesave dhe për të garantuar siguri të barabartë dhe të pandarë po bëhen me shpejtësi një instrument i shteteve individuale që vendosën se ata mund të imponojnë rregullat e tyre në pjesën tjetër të botës dhe të përdorin në mënyrë arbitrare mekanizma kufizues për të ndëshkuar të pabindurit”.

Kategoritë
LajmeRajoni