Ambasadori ukrainas në Turqi mohon pretendimet se Ankaraja i dërgon bomba thërrmuese Ukrainës

Vasyl Bodnar për Anadolu Agency (AA) tha se ligji ndërkombëtar ndalon bomba dhe municionet thërrmuese, duke shtuar se Kievi respekton rregullat ndërkombëtare në luftën e tij për të frenuar Rusinë

Ambasadori i Ukrainës në Türkiye, Vasyl Bodnar, hodhi poshtë pretendimet se Ankaraja po dërgonte bomba thërrmuese në Ukrainë, duke i cilësuar si thashetheme të pabaza dhe luftë propagandistike.

I pyetur në lidhje me artikullin “Türkiye po dërgon bomba thërrmuese të kohës së Luftës së Ftohtë në Ukrainë” në revistën amerikane “Foreign Policy”, Bodnar për Anadolu Agency (AA) tha se ligji ndërkombëtar ndalon bomba dhe municionet thërrmuese, duke shtuar se Kievi respekton rregullat ndërkombëtare në luftën e tij për të frenuar Rusinë.

Duke vënë në dukje se artikulli nuk citonte asnjë burim zyrtar, por në vend të kësaj mbështetet në “një lloj thashetheme”, Bodnar tha se ai besonte se akuza ishte pjesë e një “makinerie propagandistike ruse” kundër Türkiye-s dhe Ukrainës.

“Unë e mohoj plotësisht, nuk është e vërtetë”, tha ai, duke shtuar: “Informacioni u ndërtua në mënyrë specifike si armë e luftës së informacionit psikologjik, vetëm për të dëmtuar marrëdhëniet midis Ukrainës dhe Türkiye-s dhe për të krijuar imazhin e gabuar për Ukrainën dhe Türkiye-n”.

– Shkëmbimi i të burgosurve

Bodnar foli edhe për takimin e zhvilluar të martën në Ankara midis komisionerëve të të drejtave të njeriut nga Ukraina dhe Rusia, Dmitro Lubinets dhe Tatyana Moskalkova.

Duke vënë në dukje se Lubinets u takua ndaras me Moskalkova-n dhe Avokatin e Popullit të Türkiye-s, Şeref Malkoç, gjatë bisedimeve të organizuara nga Institucioni i Avokatit të Popullit të Türkiye-s, Bodnar tha se kjo ishte hera e parë që homologët ukrainas dhe rus takoheshin me njëri-tjetrin.

Duke theksuar se bisedimet e tyre do të vazhdojnë, ambasadori ukrainas tha se kishte disa çështje që duhet të diskutohen, duke shtuar se palët biseduan për të drejtat e civilëve, shkëmbimi i të burgosurve dhe situata e të plagosurve.

– “Türkiye mund të luajë një rol të konsiderueshëm në këtë platformë”

Duke thënë se Ukraina është “mirënjohëse ndaj Türkiye-s që është nikoqir i këtyre bisedimeve”, Bodnar shtoi: “Ne besojmë se Türkiye mund të luajë një rol të konsiderueshëm në këtë proces. Sepse ende, pavarësisht komunikimeve, nuk ka besim të plotë (midis Moskës dhe Kievit)”.

“Pra, Türkiye këtu është një partner i besuar për Ukrainën dhe ka komunikim të mirë me Rusinë. Pra, ne besojmë se Türkiye mund të luajë një rol të konsiderueshëm në këtë platformë”, shtoi ai.

Bodnar tha gjithashtu se në të ardhmen mund të arrihen disa rezultate, si krijimi i grupeve të punës për t’u marrë me shkëmbimet e të burgosurve ose civilëve pas bisedimeve në Ankara.

Ambasadori ukrainas akuzoi gjithashtu Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, i cili supozohet të kryejë këto procese, se “nuk i përmbush të gjitha detyrat e nevojshme”.

Kategoritë
BotaLajme