Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) po kërkojnë kontrollin mbi një gazsjellës kyç në Ukrainë, i cili përdoret për të transportuar gazin rus drejt Evropës.
Zyrtarë amerikanë dhe ukrainas janë takuar të premten për të diskutuar propozimet e Shtëpisë së Bardhë lidhur me një marrëveshje për mineralet.
Presidenti amerikan Donald Trump kërkon që Kievi të dorëzojë pasuritë e veta natyrore në këmbim të armëve të ofruara nga administrata e mëparshme e Joe Bidenit.
Sipas agjencisë Reuters, bisedimet janë bërë gjithnjë e më të tensionuara.
Drafti i ri amerikan ndryshon ndjeshëm nga ai i muajit shkurt dhe në të kërkohet që Uashingtonit t’i dorëzohen metale të rralla me vlerë 500 miliardë dollarë, si dhe naftë dhe gaz natyror.
Duke iu referuar një burimi të afërt me negociatat, agjencia ka raportuar se dokumenti më i fundit përfshin edhe kërkesën që Korporata Ndërkombëtare për Zhvillim Financiar e qeverisë amerikane të marrë kontrollin e gazsjellësit.
I ndërtuar gjatë kohës së Bashkimit Sovjetik, ky gazsjellës është pjesë kyçe e infrastrukturës kombëtare dhe përfaqëson një nga rrugët më të rëndësishme të energjisë.
Më 1 janar, Ukraina ndërpreu furnizimin me gaz pas skadimit të kontratës pesëvjeçare me kompaninë shtetërore ruse të energjisë, Gazprom.
Të dyja vendet kishin përfituar qindra miliona euro nga tarifat e tranzitit, madje edhe gjatë tri viteve të para të luftës së plotë.