Zyrtarët e Pentagonit së fundmi kanë njoftuar kolegët e tyre nga ministria izraelite e mbrojtjes për një plan të mundshëm për uljen e numrit të trupave amerikane në Siri, që pritet të realizohet gjatë dy muajve të ardhshëm.
Plani parashikon përgjysmimin e pranisë ushtarake amerikane – nga rreth 2.000 në afërsisht 1.000 ushtarë, të cilët janë të vendosur kryesisht në verilindje të Sirisë. Kjo njoftim ka shkaktuar shqetësim serioz në Izrael, ku frikësohen se tërheqja e SHBA-së mund të hapë rrugën për një ndikim të shtuar të Turqisë në Siri.
Sipas raportimeve të mediave izraelite, udhëheqja politike dhe ushtarake izraelite po lobon intensivisht në Uashington për ta kufizuar këtë tërheqje, duke paralajmëruar se një hap i tillë mund t’i “rrisë oreksin Turqisë” për të vendosur kontroll më të gjerë mbi pjesë të Sirisë – veçanërisht përgjatë kufirit me zonat kurde, të cilat Ankaraja i konsideron si kërcënim.
Aktualisht, trupat amerikane në terren bashkëpunojnë me forca dhe milici lokale, kryesisht kurde, me qëllim që të parandalohet rikthimi i organizatës terroriste Shteti Islamik, e cila në vitin 2014 pushtoi pjesë të mëdha të Irakut dhe Sirisë, por më pas u zmbraps.
Një zyrtar i lartë amerikan, që foli në kushte anonimiteti, e konfirmoi ekzistencën e planit për reduktimin e trupave, por shtoi se ende nuk ka shifra përfundimtare dhe shprehu skepticizëm për shkallën e tërheqjes – sidomos në një kohë kur administrata e Donald Trump-it po zhvillon negociata me Iranin dhe po forcon praninë ushtarake në rajon.
Paralelisht me këtë, ministri amerikan i mbrojtjes Pete Hegseth është duke kryer një rishikim global të pranisë ushtarake të SHBA-së në mbarë botën – pjesë e një strategjie më të gjerë për rikonfigurimin e pozicionimit ushtarak amerikan.
Kujtojmë se edhe gjatë mandatit të tij të parë, presidenti Trump kishte paralajmëruar një tërheqje të plotë nga Siria, por ajo nuk u realizua asnjëherë plotësisht. Lëvizja aktuale shihet si një hap drejt përmbushjes së atij premtimi të hershëm, por e shoqëruar me pasiguri dhe reagime të forta nga aleatët rajonalë.