Të dhënat nga një sondazh i fundit tregojnë se më shumë se gjysma e amerikanëve kanë qëndrim negativ ndaj Izraelit për shkak të pasojave të luftës në Gaza.
Sipas sondazhit të Pew Research të publikuar të martën, 53 për qind e amerikanëve tani shprehin mendim negativ për Izraelin, krahasuar me 42 për qind në mars të vitit 2022, para sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.
Demokratët ende shprehin më shumë mendim negativ për Izraelin sesa republikanët – 69 për qind kundrejt 37 për qind – ndërsa numri i republikanëve me mendim negativ për Izraelin është rritur me 10 për qind që nga viti 2022.
Sipas sondazhit, republikanët e rinj, veçanërisht ata nën moshën 50 vjeç, tani kanë më shumë gjasa të kenë pikëpamje negative për Izraelin.
Edhe tek demokratët është rritur numri i atyre që e shohin Izraelin në mënyrë negative.
Shumica e amerikanëve, në të gjitha kategoritë demografike dhe në të dy krahët politikë – me përjashtim të republikanëve nga 18 deri në 49 vjeç – bien dakord se lufta izraelite kundër Gazës ka qenë “personalishte” e rëndësishme për ta dhe për interesat e SHBA-së.
Hebrenjtë amerikanë vitet e fundit po distancohen nga Izraeli, tregojnë të dhënat. Megjithatë, të paktën 73 për qind e hebrenjve amerikanë ende kanë mendim pozitiv për Izraelin.
Amerikanët myslimanë kanë qëndrimet më të forta negative ndaj Izraelit.
Sondazhi u zhvillua pak para se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të vizitonte Shtëpinë e Bardhë në fillim të kësaj jave. Udhëtimi i tij erdhi në mes të tensioneve në rritje mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Gjithashtu, më shumë se gjysma e amerikanëve besojnë se zgjidhja me dy shtete “nuk mund të bashkëjetojë në mënyrë paqësore”, ndërsa 46 për qind ende mendojnë se kjo është e mundur.