Këtë javë, ushtria amerikane tregoi aftësitë e saj në Lindjen e Mesme duke kryer një fluturim të bombarduesve B-52 dhe avionëve të tjerë luftarakë, si pjesë e aktiviteteve të planifikuara nga Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM).
Fluturimi përfshiu dy bombardues B-52, të nisur nga bazat në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët kaluan mbi nëntë vende në zonën e përgjegjësisë së CENTCOM.
Misioni përfshinte furnizimin me karburant në ajër, ndërsa avionët luftarakë F-15 dhe avionët nga katër vende partnere shoqëruan bombarduesit strategjikë.
“**Misionet e Grupit Operacional të Bombarduesve demonstrojnë aftësinë e SHBA-së për të projektuar fuqinë, përkushtimin ndaj sigurisë rajonale dhe gatishmërinë për t’iu përgjigjur çdo aktori shtetëror ose joshtetëror që kërkon të përshkallëzojë konfliktin në rajonin e CENTCOM,” tha komandanti, gjenerali Erik Kurilla.
Forcat ajrore amerikane, veçanërisht në Detin e Kuq, kanë qenë vendimtare në parandalimin e sulmeve nga Houthit e Jemenit, të mbështetur nga Irani, të cilët kanë shënjestruar anije ushtarake dhe tregtare.