Amerikanët shtynë sanksionet ndaj Serbisë për 30 ditë, Vuçiq menjëherë u mburr

Sanksionet ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë, për shkak të pjesëmarrjes ruse në pronësi, janë shtyrë për 30 ditë, njoftoi në Instagram presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sanksionet do të hynin në fuqi sot, por amerikanët në momentin e fundit vendosën t’i shtyjnë ato për Serbinë.

“Kemi marrë edhe 30 ditë shtesë për Industrinë e Naftës së Serbisë. Një lajm i mirë për qytetarët e Serbisë,” shkroi Vuçiq.

Në postimin e tij, Vuçiq bashkëngjiti edhe dokumentin e Departamentit Amerikan të Thesarit, ku zyrtarisht shpallet ky vendim.

Dje u publikua lajmi se Gaspromnjeft ka ulur pjesëmarrjen e tij në pronësi në 44.85%, duke transferuar 6% të aksioneve pa kompensim tek kompania mëmë, Gasprom, një kompani ruse që nuk është subjekt i sanksioneve.

Nuk dihet ende se sa ka ndikuar kjo lëvizje, e cila praktikisht është thjesht një ndryshim formal midis kompanive të lidhura, në vendimin e autoriteteve amerikane për të mos vendosur ende sanksione ndaj NIS-it, edhe pse nominalisht plotëson kushtet për t’u sanksionuar.

Serbia kishte kërkuar shtyrjen e sanksioneve për të paktën 90 ditë.

Kategoritë
LajmeRajoni