Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë të tërheqin rreth 600 ushtarë nga Siria, duke lënë më pak se 1.000 që do të punojnë me aleatët kurdë dhe milicitë lokale në luftën kundër ISIS.
Presidenti Donald Trump kishte tentuar të tërhiqte të gjitha forcat nga Siria gjatë mandatit të tij të parë, por u përball me kundërshtim nga Pentagoni, pasi kjo shihej si braktisje e aleatëve dhe çoi në dorëheqjen e ish-sekretarit të mbrojtjes Jim Mattis.
Trupat amerikane kanë qenë thelbësore jo vetëm në operacionet kundër ISIS-it, por edhe si një tampon për forcat kurde kundër Turqisë, e cila i konsideron ato të lidhura me organizata terroriste.
Tërheqja e 600 ushtarëve do të rikthejë numrin e trupave në nivelet e mëparshme, pas një fushate shumëvjeçare të udhëhequr nga SHBA dhe aleatët e saj për të mposhtur ISIS-in. SHBA ka mbajtur rreth 900 trupa në Siri për të siguruar që militantët e ISIS-it të mos rifitojnë terren, por edhe si një mbrojtje kundër militantëve të mbështetur nga Irani që kontrabandojnë armë nëpër jug të Sirisë.
Numri i trupave amerikane në Siri ishte rritur në mbi 2.000 pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 në Izrael, ndërsa militantët e mbështetur nga Irani sulmuan forcat dhe interesat amerikane në rajon si përgjigje ndaj bombardimeve izraelite në Gaza.
Nga ana tjetër, sipas raportimeve të mediave izraelite, udhëheqja politike dhe ushtarake e Izraelit po përpiqet të bindë SHBA-në që të kufizojë tërheqjen, duke “u frikësuar se ky hap do të rrisë ambiciet e Turqisë për të kontrolluar Sirinë”.