Me rastin e Bajramit të Ramazanit, mbreti i Marokut, Mohammed VI, ka dhënë falje mbretërore për 1.533 persona të dënuar nga gjykata të ndryshme, njoftoi Ministria e Drejtësisë e Marokut.
Ministria publikoi listën e personave të cilët përfitojnë nga kjo falje mbretërore – disa prej tyre janë duke vuajtur dënime me burg, ndërsa të tjerët janë të dënuar me dënime me kusht. Ndër të falurit janë edhe 31 persona të dënuar për ekstremizëm dhe terrorizëm.
Sipas deklaratës së Ministrisë së Drejtësisë, falja mbretërore për këta 31 të dënuar u aprovua pasi ata shprehën zyrtarisht përkushtimin e tyre ndaj parimeve të palëkundura dhe të shenjta të kombit dhe institucioneve shtetërore, rishikuan qëndrimet e tyre ideologjike dhe hoqën dorë nga ekstremizmi dhe terrorizmi.
“Shkëlqesia e Tij, Mbreti – Zoti e ruajtë – pati nderin që me këtë rast të bekuar të falë të burgosurit e dënuar për ekstremizëm dhe terrorizëm, të cilët morën miratimin mbretëror pasi zyrtarisht shprehën përkushtimin ndaj parimeve të palëkundura të kombit dhe institucioneve kombëtare, rishikuan bindjet e tyre dhe hoqën dorë nga ekstremizmi dhe terrorizmi,” thuhet në deklaratë.
Lista përfshin të burgosur të cilëve u është falur pjesa e mbetur e dënimit, të dënuar me burg që kanë marrë ulje të dënimit, si dhe ata që kanë pasur dënime me burgim të përjetshëm dhe u janë kthyer në dënime me kohë të kufizuar.
Disa të dënuar janë falur vetëm për pjesën e burgimit, ndërsa gjobat financiare mbeten në fuqi. Për disa të tjerë, janë falur edhe gjobat financiare, ndërsa një pjesë janë liruar nga të dyja – si nga dënimi me burg, ashtu edhe nga gjobat.
Mbreti Mohammed VI në mënyrë tradicionale jep falje mbretërore me rastin e festave fetare dhe kombëtare.