Analistët: Përplasja mes Kurtit dhe Osmanit dëmton politikën e jashtme të Kosovës

Çarja në raportet ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, analistët thonë se ka filluar shumë kohë më parë dhe dalja në pah e mos koordinimit ndërinstitucional do të dëmtojë politikën e jashtme të Kosovës.

Analistët theksojnë se konflikti ndërmjet Kurtit dhe Osmanit do të ndikojë edhe në humbjen e shpresës te qytetarët për një lidership të ri, siç ishte proklamuar në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Analisti politik Artan Muhaxhiri thotë se reagimi i djeshëm i presidentes Osmani ka qenë i bazuar, pasi ajo është sabotuar me rastin e letrës që Qeveria i ka dërguar Këshillit të Evropës, për anëtarësim në këtë organizatë evropiane.

Por sipas tij, nuk pritet të ndodhë një luftë e brendshme ndërmjet koalicionit qeverisës, pasi konsideron se e para e vendit do të tejkalojë situatën në favorin e saj.

“Reagimi i ashpër i presidentes Osmani ishte krejtësisht i bazuar. Ajo u sabotua me rastin e letrës së Këshillit të Evropës, gjë e cila është edhe antikushtetuese, pasi si presidente është obliguese që të përfaqësojë politikën e jashtme. Ai veprim ishte krejtësisht në shpërpushje me partneritetin, por edhe logjikën institucionale, andaj dështoi në mënyrë spektakolare. Kjo i jep të drejtë presidentes Osmani që të reagojë me atë mllef, sepse ishte një veprim i padrejtë që do të ketë pasoja edhe në të ardhmen…”.

“Koalicioni mes LVV-në dhe Listës Guxo ka qenë shumë specifik dhe kontekstual dhe mendoj se nuk do të jetë i tillë edhe për zgjedhjet e ardhshme kurdo që do të ndodhin, pasi kanë ndryshuar rrethanat. Mirëpo, sa i përket luftës së brendshme mendoj se kjo nuk do të ndodhë pasi presidentja Osmani do të tejkalojë këtë në favorin e saj”, thotë Muhaxhiri, për KP.

Në anën tjetër, analisti tjetër, Arbnor Sadiku, thotë se përplasja Kurti-Osmani po ndodh për shkak të afrimit të zgjedhjeve të rregullta dhe përfundimin e mandatit të së parës së vendit.

Ai vlerëson se Kurti nuk mund të llogarisë më në mbështetjen e Osmanit, pasi në të gjitha sondazhet Lista Guxo ka një numër minimal të votave.

“Çarjet kanë filluar qysh herët për faktin se zonja Osmani është në përfundim të mandatit të saj si presidente, pasi i kanë mbetur më pak se një vit. Po ashtu edhe qeveria është në përfundim të mandatit dhe si duket në zgjedhjet e ardhshme nuk do të kenë pika takuese midis Vjosës, Albinit dhe zotëri Konjufca. Roli i Listës Guxo do të jetë shumë jo domethënës apo minor në krijimin e qeverisë së ardhshme. Duke parë këto sondazhe dhe matematikat e reja zgjedhore konsideroj se Vjosa Osmani ka lexuar mirë situatën dhe e di se nuk ka më çka të marrë apo jap nga koalicioni me LVV-në në të ardhmen. Si duket, gjasat janë që të kalojë apo të afrohet gradualisht me LDK-në”, thekson Sadiku.

Përveç dëmeve në politikën ditore, analisti Muhaxhiri thotë se konflikti Kurti-Osmani do të ketë ndikim në humbjen e shpresës për një lidership të ri në Kosovë.

“Konflikti ndërmjet presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, përveç dëmeve elektorale të politikës së zakonshme, do të ketë ndikim të madh edhe për humbjen e shpresës për një lidership të ri, i cili do të bënte një ndarje të madhe nga lidershipi i kaluar. 14 shkurti ka qenë një ofertë emocionale dhe entuziazëm nga Kurti dhe Osmani. Duket se me dështimin e këtij tandemi që të ketë një jetëgjatësi në partneritet do të humb edhe shpresa se një gjë e tillë është e mundshme në Kosovë”, deklaron ai.

Presidentja Osmani ka thënë se nuk është koordinuar për dërgimin e letrës në Këshill të Evropës, një ditë përpara mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Jashtëm të KiE-së, ku nuk u fut në agjendë anëtarësimi i Kosovës.

Kosova sipas letrës së dërguar zotohej se deri në fund të muajit maj do të hartonte një draft-statut për asociacionin dhe do të dërgonte në Gjykatë Kushtetuese, por pas dështimit për anëtarësim në KiE u tha se ky zotim nuk është më valid.

Mos koordinimin me presidenten, kryeparlamentari Glauk Konjufca e quajti dje teknike, por që Vjosa Osmani tha se një deklaratë e tillë është qesharake. /kp/Telegrafi/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi