Analistët presin “një përballje të ashpër e pa rezultate” nesër në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen të enjten në Bruksel, në vazhdën e dialogut 11-vjeçar mes dy shteteve.

Për dialogun që do të zhvillohet ditën e nesërme analistët kosovarë kanë pritshmëri të ndryshme.

Analisti Dritëro Arifi mendon se në takimin e nesërm në Bruksel nuk do të ketë risi për faktin se Bashkimi Evropian në raport me Serbinë sipas tij është më tolerant derisa i ka dhënë statusin e kandidatit edhe pse Serbia ende e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë.

Sipas tij edhe takimi i nesërm Kurti-Vuçiq do të mbetet nën hijen e një shtrëngimi duarsh dhe disa fotografive të përbashkëta me ndërmjetësuesit e dialogut.

“Sa i përket takimit në Bruksel përsëri e njëjta storie përderisa Bashkimi Evropian e ka pranuar Serbinë si shtet kandidat me një Kushtetutë ku Kosovën e sheh si pjesë të saj. Është e kot të analizohet çështja përderisa nuk ndryshohet qasja e Bashkimit Evropian pra shtrohet pyetja se për çka po negociohet sepse me 11 vite negociata realisht deri sot në një far mënyre BE ka dashur që të barazoj dhe relativizoj gjithçka mes palëve. Kjo nuk mund të ndodh sepse Kosova është shteti i pavarur. Prandaj shtrohet pyetje se për çka po bisedohet, se a për çështjet e brendshme të Kosovës apo për marrëveshjen ligjërisht të obligueshme mes shteteve reciproke”, tha Dritëro Arifi për InLajmin.

Nisur nga fakti se askush nuk e ka të qartë se për çka po diskutohet në Bruksel, Arifi thotë se edhe nga takimi i së enjtes nuk pret ndonjë përparim.

“Pra nuk po dihen qëndrimet dhe qëllimet e këtyre negociatave prandaj nuk pres asgjë ma shumë se një fotografi dhe shtrëngim duarsh përderisa perëndimi ja jep ndjenjën e fitores Serbisë nuk besoj që do të kemi përparime të mëdha në dialogun mes shteteve”, tha Arifi.

Kurse analisti Shemsi Jashari tha se pret një përballje të ashpër por pa rezultate konkrete në takimin e së enjtes mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Sipas tij komunikimi i ashpër do të pasojë me që të 2 udhëheqësit kanë synime të kundërta për temat të cilat do të diskutohen në dialog.

“Sipas njoftimit të BE-së, takimi Kurti-Vuçiq, do të përqendrohet në avancimin e dialogu drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve. Pres një përballje të ashpër dhe pa rezultate konkrete. Vuqiç nuk do të pajtohet me fillimin e reciprocitetit në dokumente e targa por do të insistoj në themelim të asociacionit, përderisa z.Kurti do të insistoj në fillimin e zbatimit të vendimeve për targa dhe dokumente”, tha Shemsi Jashari.

Jashari mendon se Kurti e Vuçiq mund të arrijnë në një pikë të përbashkët ,zotimin që deklaratat e tyre të jenë të matura dhe të mos nxisin tensione të dyanshme.

“E shumta që mund të dakordohet mes palëve mund të jetë zotimi për të mos ashpërsuar gjuhën dhe parandaluar incidentet e mundshme. Një dakordim për të mos provokuar situatën e sigurisë. Pala kosovare duhet të insistoj të shtyhet procesi para për aq sa ka mundësi, sepse status-quos i shërben vetëm Serbisë por jo Kosovës. Paralajmërimi se në Bruksel Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do ta takojë edhe të dërguarin e Posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i shtonë rëndësinë procesit dhe tregon se SHBA ka shtuar rolin e saj dhe kjo është pozitive”, tha Shemsi Jashari për InLajmin.

Njohësi i politikës, Milazim Krasniqi në një prononcim për InLajmin takimin e Kurtit dhe Vuçiqit me Stoltenberg-un e ka cilësuar si të nevojshëm sidomos pas deklaratave të të 2 krerëve që sollën pasiguri dhe tensione mes palëve.

“NATO-ja ka manifestuar qëndrime të forta dhe të prera lidhur me çështjen në veri të Kosovës dhe besoj që këto takime janë mesazhe të qarta që nuk do të lejohen incidente, nuk do të lejohet konflikti sepse me të vërtetë NATO-ja në mandatin e KFOR-it është përgjegjëse për sigurinë në Kosovë. Deklaratat e Vuçiqit me 30 ose 31 korrik kanë vu në rrezik sigurinë dhe stabilitetin sepse ai ka folur për konflikt dhe për fitoren e Serbisë. Sigurisht që edhe deklaratat e Kurtit në një rast nuk kanë qenë të matura ashtu që u krijua një far situate e toneve të larta në komunikim prandaj takimi jam i bindur që do të jetë në funksion që të u bëhet me dije palëve që nuk do të lejohen kurrfarë aventurizmash në kufijtë e Kosovës” tha Milazim Krasniqi.

Kategoritë
LajmeVendi