Vlerësimi i prof. dr. Murat Yesiltas, Drejtor i Kërkimeve të Sigurisë pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) në Ankara në lidhje sprovën e Turqisë në luftën e Ukrainës.
Operacioni i Rusisë për të pushtuar Ukrainën ka prishur sistemin ndërkombëtar. Putin, i cili ka thënë se nuk ka ndërmend të pushtojë Ukrainën që nga fillimi i krizës, urdhëroi një sulm gjithëpërfshirës ndaj saj menjëherë pasi njohu pavarësinë e republikave separatiste në rajonin e Donbasit. Tani për tani, lufta është e fokusuar në katër fusha kryesore. Rajoni i parë përbëhet nga Kievi, kryeqyteti i Ukrainës. Pavarësisht 15 ditëve të sulmeve të pandërprera, trupat ruse nuk kanë mundur të kapin Kievin. Zona e dytë përbëhet nga qyteti i Harkovit dhe vendbanimet përreth. Zona me përleshjet më të dhunshme nuk ka hyrë ende plotësisht nën kontrollin rus. Rajoni i tretë është rajoni i Donbasit, ku filluan operacionet. Qëllimi i Rusisë këtu është të pushtojë qytetin port të Mairupolit. Për momentin, Rusia e ka rrethuar qytetin, por nuk ka qenë në gjendje të marrë kontrollin e plotë të tij. Zona e fundit është linja e Krimesë, ku janë përqendruar sulmet. Në këtë pikë, rusët duket se synojnë qytetin e Odesës. Qëllimi është të merret kontrolli i këtij qyteti dhe të ndërpritet lidhja e Ukrainës me Detin e Zi. Në ditën e 16-të të luftës rusët vazhdojnë të pësojnë humbje të mëdha. Lufta ka arritur në një pikë ku mund të zhvillohet në të gjitha drejtimet.
Turqia është përpjekur të luajë një rol ndërmjetësues që nga fillimi i krizës në Ukrainë. Fillimisht, qëllimi i saj ishte të parandalonte që kriza të shndërrohej në luftë. Në këtë moment ajo ka bërë thirrje për të dyja palët. Ankaraja ishte e vetëdijshme që në fillim të ndikimit të një lufte në Ukrainë. Megjithatë, ajo nuk arriti sukses në parandalimin e luftës. Qëllimi i Ankarasë zyrtare tani është të parandalojë thellimin e luftës Rusi-Ukrainë dhe t’i japë fund asaj. Sepse tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë po rriten dita-ditës. Nga njëra anë, Perëndimi po vendos sanksione të rënda kundër Rusisë dhe po vazhdon të shtojë ndihmën ushtarake për Ukrainën. Ankaraja, nga ana tjetër, ende këmbëngul për një zgjidhje diplomatike.
Në këtë pikë, në ditën e 16-të të luftës, takimi i parë i nivelit të lartë ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë u zhvillua në Forumin e Diplomacisë në Antalie me ndërmjetësimin e Turqisë. Pala ruse dukej të ishte shumë nervoze. Ministri i Jashtëm rus Lavrov e pati të vështirë t’u përgjigjej pyetjeve kritike në konferencën për shtyp. Ndërkaq ministri i Jashtëm i Ukrainës tha se Rusia kishte vendosur kushte të papranueshme. Për momentin, samiti i Antalies nuk ka dhënë asnjë rezultat, por kjo nuk e ka ndalur kërkimin e Turqisë për diplomaci. Sepse thellimi i luftës do të nënkuptojë përkeqësim të status quo-së në Detin e Zi pas Luftës së Ftohtë, si dhe do të ndikojë negativisht në marrëdhëniet turko-ruse. Nga ana tjetër, nëse embargot rriten më tej, Turqia do të ketë vështirësi për të mbajtur këtë pozicion të balancuar. Prandaj, po punohet fuqimisht që lufta të ndalet dhe të vendoset konsensusi politik sa më parë.
Lufta në Ukrainë ka përkeqësuar periudhën e stuhishme të Turqisë në shkallë rajonale. Për Ankaranë, kjo luftë do të thotë një thyerje më e thellë gjeopolitike sesa kriza në Siri. Deti i Zi është një nga prioritetet e sigurisë së Turqisë. Turqia, e cila dëshiron të ruajë marrëdhëniet e saj me Perëndimin dhe me Rusinë, është gjithashtu e shqetësuar për shkëputjen e thellimit të lidhjeve të saj strategjike me Ukrainën. Nga ana tjetër, fitorja e Rusisë në këtë krizë mund të thellojë rivalitetin e Ankarasë me Rusinë dhe të prishë qetësinë në marrëdhënie. Prandaj, Lufta në Ukrainë është sfida më e rëndësishme me të cilën është përballur Ankaraja kohët e fundit. Kjo sfidë mund të sjellë një ndryshim gjithëpërfshirës në politikën e jashtme të Turqisë në krahasim me dekadën e mëparshme.
Autor: Prof. dr. Murat YESILTAS
Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.