Carlo Ancelotti tashmë ka folur për Vinicius Junior dhe Topin e Artë me Real Madridin që raportohet se ka marrë vendimin drastik për të mos marrë pjesë në këtë ceremoni.
Ceremonia e Topit të Artë 2024 do të mbahet sot (e hënë) në ‘Theatre du Chatelet’ të Parisit në Francë.
Ishte spekuluar gjerësisht se Vinicius Junior do ta fitojë këtë çmim prestigjioz pas sezonit brilant që kishte pasur me Real Madridin, aty ku fitoi Ligën e Kampionëve dhe La Ligan.
Duke folur pas fitores së thellë me rezultat 5-2 ndaj Dortmundit, Ancelotti kishte deklaruar me shumë siguri se Vinicius do ta fitojë Topin e Artë.
“Vinicius Junior do ta fitojë Topin e Artë sipas mendimit tim, ai do ta fitojë këtë çmim. Nuk ka të bëjë me golat ndaj Dortmund. Ky het-trik do t’i ndihmojë ta fitojë Topin e Artë për sezonin e ardhshëm”, kishte thënë Ancelotti.
Sidoqoftë, raportimet e ditës së sotme nga mediat franceze dhe ato spanjolle e bën të qartë se Rodri do të shpallet fitues i Topit të Artë dhe për këtë arsye delegacioni i Realit nuk do të udhëtojë për të qenë prezent në ceremoni.
Sipas drejtuesve të klubit spanjoll kriteri për të shpallur fituesin e Topit të Artë nuk është aspak i drejtë dhe se në rast se nuk duhej ta fitonte Vinicius këtë çmim, atëherë sipas tyre do të duhej t’ia dhuronin Dani Carvajalit.
Kujtojmë se Carvajal ishte po ashtu një lojtar tejet i rëndësishëm në sukseset e Real Madridit sezonin e kaluar e po ashtu edhe në triumfin e Spanjës në Euro 2024.