Andi Pajaziti është liruar nga akuza për vrasje në Bon Vivant, teksa atij iu shqiptua dënimi prej dy vitesh burgim për armëmbajtje pa leje.
Në seancën e mbajtur sot, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka liruar Andi Pajazitin nga akuza për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” lidhur me rastin e vrasjes së gushtit të vitit 2023, në lokalin “Bon Vivant”, derisa e ka shpallur fajtor dhe dënuar me dy vjet burgim për armëmbajtje pa leje, shkruan Lajmi.net.
Aktgjykimi ndaj Pajazitit u shpall të premten nga gjykatësi Eroll Gashi. Pajaziti ngarkohej për vrasjen e K.R., më 4 gusht 2023, në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë.
Dënimi me burgim, të njëjtit do t’i ekzekutohet në afat prej 15 ditësh pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Në dënimin e shqiptuar me burgim, të njëjtit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Aktakuza ndaj Pajazitit ishte nveprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” ishte ngritur më 21 qershor 2024. Pajaziti ngarkohej për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” pasi që sipas Prokurorisë nga tronditja që kishte marrë prej tani të ndjerit K.R., i akuzuari pa fajin e tij dhe pa menduar për pasojat e kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë në drejtim të K.R.
Për këtë rast ishte i ndaluar ishte edhe N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më 5 shtator iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Të njëjtit, pas një muaji nga kjo masë, i është ndërprerë paraburgimi, pasi nuk kishte kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e paraburgimit. Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, si të dyshuar për përfshirje në këtë rast, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.
Lidhur me këtë rast, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti thuhej se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të pandehurve.
Policia e Kosovës kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që kishte ndodhur në këtë lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave.