Anëtarësimi në NATO, Stoltenberg: Suedia drejt përmbushjes së kërkesave të Turqisë

Suedia ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në përmbushjen e kërkesave të Turqisë për të hequr veton për anëtarësimin në NATO. Këtë e konfirmoi sekretari i përgjithshëm i organizatës ushtarake, Jens Stoltenberg, gjatë një vizite në Stokholm.

Suedia bashkë me Finlandën, aplikuan për t’ju bashkuar aleancës muajin e kaluar, si reagim për të përforcuar sigurinë pas luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë. Por kërkesa e tyre hasi në një kundërshti të papritur të Turqisë, që është nxitur nga ajo që Ankaraja e konsideron mbështetje të Suedisë për militantët kurdë dhe embargoja për armët.

“Unë e mirëpres faktin që Suedia ka filluar të ndryshojë legjislacionin e saj kundër terrorizmit dhe se do të sigurojë që kuadri ligjor për eksportin e armëve do të pasqyrojë statusin e tyre të ardhshëm si anëtare e NATO-s me angazhime të reja ndaj aleatëve. Këto janë dy hapa të rëndësishëm për të adresuar shqetësimet që Turqia ka ngritur”, deklaroi Stoltenberg.

Kryeministrja suedeze, Magdalena Andersson, konfirmoi hapat për të përmbushur kërkesat e Turqisë. Sipas saj, “nga 1 korriku, ne do të kemi gjithashtu legjislacion edhe më të fortë kur bëhet fjalë për luftën kundër terrorizmit.”

Stoltenberg shtoi se synimi është që Suedia dhe Finlanda t’i bashkohen sa më parë NATO-s dhe se ishte e pamendueshme që vendet anëtare të mos dalin në mbrojtje të vendeve nordike nëse do të sulmoheshin.

Vizita e tij në Stokholm, vjen pas asaj në Helsinki, ku i cilësoi si legjitime shqetësimet e sigurisë të ngritura nga Turqia. Stoltenberg kërkoi që çështja e terrorizmit të trajtohej me seriozitet, ndërsa Finlanda e bëri të qartë se nuk anëtarësohet pa Suedinë.

 

Kategoritë
BotaLajme