Angelina Jolie mbërrin në Pakistan për të ndihmuar viktimat e përmbytjeve

E dërguara e posaçme e OKB-së, Jolie do të vizitojë zonat e prekura nga përmbytjet dhe do të komunikojë drejtpërdrejt me njerëzit, ka thënë Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit

Aktorja e famshme e Hollywood-it dhe e dërguara speciale pranë Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, Angelina Jolie mbërriti në Pakistan të martën për të ndihmuar njerëzit e prekur nga përmbytjet shkatërruese, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit (IRC), ajo do të vizitojë zonat e prekura nga përmbytjet dhe do të komunikojë drejtpërdrejt me njerëzit.

Jolie mbërriti në mëngjes në qytetin port jugor të Karaçit dhe u prit nga zyrtarët pakistanezë.

Shirat e dendur dhe përmbytjet kanë prekur 33 milionë njerëz dhe kanë zhytur një të tretën e vendit, duke rezultuar në afërsisht 1.550 vdekje dhe afro 13 mijë të lënduar nga katastrofat e lidhura me përmbytjet.

Jolie, e cila më parë vizitoi viktimat e përmbytjeve të vitit 2010 në Pakistan dhe tërmetit të vitit 2005, do të vizitojë operacionet e reagimit emergjent të IRC-së dhe organizatat lokale që ndihmojnë njerëzit e zhvendosur, përfshirë refugjatët afganë, thuhet në deklaratë.

Ajo do të potencojë nevojën për mbështetje urgjente për popullin pakistanez dhe zgjidhje afatgjata për të adresuar krizat e shumëfishuara të ndryshimeve klimatike, zhvendosjet e banorëve dhe pasigurinë e vazhdueshme.

IRC beson se vizita e saj do të hedhë dritë mbi këto çështje dhe do të shtyjë komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht shtetet që kontribuojnë më shumë në emetimet e karbonit, të veprojnë dhe të ofrojnë mbështetje urgjente për vendet që mbajnë peshën kryesore të krizës klimatike, thuhet në deklaratë.

Myftiu Menk, një dijetar i njohur musliman dhe motivues me ligjëratat e tij me një numër të madh ndjekësish në rrjetet sociale, ka mbërritur gjithashtu në vend për të ofruar ndihmë për viktimat e përmbytjeve.

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për të ndihmuar Pakistanin në një video-mesazh nga provinca jugore Sindh, duke e quajtur situatën e përmbytjeve “të paimagjinueshme”.

“Pavarësisht se çfarë bëhet, ka ende shumë për të bërë”, shtoi Menk.

Kategoritë
BotaLajme