Anglia vendos futjen e gjuhës Latine në shkollat publike

Latinishtja do të futet në programet e shkollave shtetërore në Angli, një përpjekje kjo për ta afruar këtë gjuhë të vdekur me masën dhe për t’i hequr asaj statusin elitar, për shkak të përdorimit vetëm në shkollat private.

Qeveria do ta mbështesë këtë me një skemë me vlerë 4 milionë paund për 40 shkolla publike, si pjesë e një programi pilot për moshat 11-16 vjeç. Zbatimi i këtij projekti nis nga shtatori i vitit 2022.

Sipas një ankete që ka bërë British Council, latinishtja është në kurrikulat e më pak se 3% të shkollave shtetërore, në krahasim me 49% të shkollave private.

Ministri i Arsimit, Gavin Williamson, thotë se një ndarje e tillë do të zhduket brenda pak vitesh.

E dimë të gjithë reputacionin që ka latinishtja si lëndë elitare, e rezervuar vetëm për ca të privilegjuar. Kjo lëndë mund t’u sjellë benefite të rinjve dhe për këtë arsye ne kemi vendosur t’i japim fund kësaj ndarjeje.

Latinishtja do t’u vijë në ndihmë nxënësve të mësojnë më lehtë lëndë të tjera si gjuha angleze dhe matematika. Programi i ri parashikon që nxënësve ekselentë t’u mundësohen vizita në sajtet e trashëgimisë romake.

Kategoritë
BotaLajme