Anija e parë e ngarkuar me drithëra niset nga Ukraina për në Liban

“Anija pritet të mbërrijë në Istanbul më 2 gusht”, tha ministria turke e Mbrojtjes, duke shtuar se anija do të vazhdojë rrugën e saj pas inspektimeve në qytetin më të madh turk.

Ministria e Mbrojtjes e Türkiye-s njoftoi se anija e parë që u largua nga Ukraina sipas marrëveshjes historike të eksportit të drithërave u nis sot nga porti i Odesës për në Liban, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Anija pritet të mbërrijë në Istanbul më 2 gusht”, tha ministria në një deklaratë, duke shtuar se anija do të vazhdojë rrugën e saj pas inspektimeve në qytetin më të madh turk.

E ngarkuar me misër, anija e ngarkesave të thata “Razoni” me flamurin e Sierra Leones, është rrugës për destinacionin e saj përfundimtar në portin e Tripolit në Libanin verior.

Türkiye, OKB, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje më 22 korrik për të rihapur tre porte ukrainase: Odesa, Chernomorsk dhe Yuzhny; për drithërat që mbetën të bllokuara prej muajsh për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, e cila po vijon në muajin e gjashtë.

Për të mbikëqyrur eksportet e drithit ukrainas, një qendër e përbashkët koordinimi në Istanbul u hap zyrtarisht të mërkurën e kaluar, e përbërë nga përfaqësues nga Türkiye, OKB, Rusia dhe Ukraina për të mundësuar transportin e sigurt me anije tregtare të produkteve ushqimore komerciale dhe plehrave nga tre portet kryesore ukrainase në Detin e Zi.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres “përzemërsisht” e përshëndeti largimin e anijes “Razoni”.

“Anija është e destinuar për në portin e Tripolit, Liban, duke transportuar një ngarkesë prej 26.527 tonë misër dhe është anija e parë që niset në kuadër të Iniciativës së Drithërave të Detit të Zi të nënshkruar në Istanbul, më 22 korrik. Garantimi që drithërat dhe ushqimet ekzistuese mund të lëvizin në tregjet globale është një imperativ humanitar”, tha në një deklaratë Stephane Dujarric, zëdhënësi i kreut të OKB-së.

Ai shtoi se nisja e kësaj anijeje ishte arritja kolektive e Qendrës së Përbashkët të Koordinimit (JCC) në Istanbul.

Sipas deklaratës, Guterres gjithashtu përshëndeti Türkiye-n për udhëheqësinë e saj, duke shtuar: “Sekretari i Përgjithshëm shpreson se kjo do të jetë anija e parë nga shumë anije tregtare që do të lëvizin në përputhje me Iniciativën e nënshkruar dhe se kjo do të sjellë stabilitetin dhe lehtësimin shumë të nevojshëm për sigurinë globale të ushqimit, veçanërisht në kontekstet më të brishta humanitare”.

Kategoritë
BotaLajme