Paneli është zhvilluar në bashkëpunim midis Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal të Kosovës.
Në bashkëpunim midis Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal të Kosovës, në kryeqytetin turk Ankara të Türkiyes është mbajtur një panel i titulluar “Kosova dhe Türkiye: Pavarësia, trashëgimia kulturore dhe perspektivat e ardhshme”, raporton Anadolu.
Paneli është organizuar në moderim të Drejtorit të Qendrës së Botës Turke të Aplikimit dhe Kërkimit pranë Universitetin Gazi në kampusin e universitetit, prof. dr. Bülent Aksoy. Fjalimet hyrëse të panelit i kanë bërë rektori i universitetit prof. dr. Uğur Ünal si dhe ambasadori kosovar në Ankara, Agon Vrenezi.
Në panel kanë marrë pjesë presidenti i parë i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nënsekretari i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal të Kosovës, dr. Besim Kamberaj, drejtoresha e Departamentit për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave pranë Ministrisë së Zhvillimit Rajonal të Kosovës dr. Refike Sulçevski, ish-kryetari i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, dr. Jusuf Osmani, si dhe prof. dr. Ibrahim Berisha nga stafi akademik i Universitetit të Prishtinës.
Rektori i Universitetit Gazi, prof. dr. Ünal tha se rrënjët historike të Ballkanit janë shumë të vjetra dhe se turqit ekzistojnë prej shumë vitesh këtu dhe mund të gjenden gjurmët e tyre.
– Türkiye luajti rol kyç në shtetëzimin e Kosovës
Ambasadori i Kosovës në Ankara, Vrenezi, duke shprehur kënaqësinë e tij për pjesëmarrje në aktivitet, tha se paneli ka një rëndësi të veçantë për të.
Sipas tij, edhe pjesëmarrja e presidentit të parë kosovar Sejdiu në panel është privilegj, ndërsa tha se në panel do të trajtohen marrëdhëniet miqësore midis dy shteteve.
Ai theksoi se Türkiye luajti një rol kyç në shtetëzimin e Kosovës, duke shtuar se mes të Kosovës dhe Türkiyes janë kryer studime në fushën e politikës, ekonomisë, arsimit dhe kulturës.
– Pavarësia, sfidat dhe pritjet e Kosovës
Sejdiu, në fjalën e tij u ndal në vuajtjet dhe luftërat që ka përjetuar Kosova në rrugën e saj drejt pavarësisë dhe tha se populli i Kosovës po bën përpjekje për të jetuar i lirë.
Duke theksuar se vuajtjet e përjetuara në Kosovë i kuptojnë njerëzit që jetojnë atje, ai tha se përveç Kosovës, edhe Bosnjë e Hercegovina ka përjetuar vuajtje të mëdha.
Në lidhje me mbështetjen që Türkiye i ka dhënë vendit të tij gjatë kësaj periudhe, Sejdiu tha se Türkiye ka qenë zëri i Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Sejdiu deklaroi se Türkiye ka qenë e rëndësishme në pavarësinë e Kosovës.
– Bashkëpunimi akademik dhe i arkivave shtetërore midis dy vendeve në fokus
Ndërkaq, Kamberaj, lidhur me studimet akademike të kryera ndërmjet Türkiyes dhe Kosovës, theksoi se ka një bashkëpunim të fortë mes dy vendeve.
Ai tha se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve arsimore, përfshirë edhe Universitetin Gazi, duhet të zhvillohet më tej dhe se së shpejti në Kosovë do të mbahet një konferencë për bashkëpunimin Türkiye-Kosovë.
Sulçevski, nga ana e saj, rikujtoi se mes Kosovës dhe Türkiyes ka pasur bashkëpunim në shumë fusha që nga viti 1999.
Sulçevski, e cila punon në Arkivin Shtetëror të Kosovës që nga viti 2004, shpjegoi punën e bërë për rindërtimin e vendit të saj.
Osmani, nga ana e tij, mbajti prezantimin me titull “Pushtimi i Sanxhakut të Nishit dhe dëbimi i popullatës vendase”, ndërsa Berisha shpjegoi kontekstin social dhe historik të mediave në Kosovë.