Ankaraja: Forcat e SHBA-së stërvitën terroristen e lartë të PKK/YAT të “neutralizuar” nga Türkiye

Terroristja Civana Heso me emrin e koduar Roj Habur, u neutralizua në Siri nga forcat turke të sigurisë në korrik ndërsa Komanda Qendrore dërgoi një mesazh ngushëllimi

Forcat e SHBA-së në Siri trajnuan një terroriste të rangut të lartë të PKK/YAT, e cila u neutralizua nga Türkiye në korrik, konfirmuan sot burimet turke të sigurisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Burimet e sigurisë thanë se terroristja e neutralizuar ishte Civana Heso me emrin e koduar Roj Habur, një nga tre terroristët që u “neutralizuan” nga ushtria turke në fund të korrikut. Ajo njihej si e ashtuquajtur komandante rajonale e PKK/YAT Jazira të Sirisë.

Pas neutralizimit të tre terroristëve, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) vlerësoi angazhimin e tyre dhe u dërgoi mesazh ngushëllimi familjeve të tyre, veprim ky që u kritikua ashpër nga zyrtarët turq.

“Salwa Yusuk (AKA Ciyan Afrin) zëvendës komandant i Forcave Demokratike Siriane (SDF) së bashku me 2 bashkëluftëtare femra u vra në një sulm pranë Qamishli, Siri, më 22 korrik 2022”, shkroi CENTCOM në Twitter më 24 korrik.

Türkiye ka kritikuar prej kohësh mbështetjen e SHBA-së për terroristët e PKK-së dhe degët e saj në Siri, të njohur si YPG. Ndërsa Washingtoni pretendon se lufton terroristët e DEASH-it me ndihmën e aleatëve të saj PKK/YPG, Ankaraja thotë se përdorimi i një grupi terrorist për të luftuar një grup tjetër terrorist është i pakuptimtë.

Terroristja Heso mori trajnim special ushtarak nga forcat amerikane në Siri ndërkaq nga ana tjetër stërviti terroristë të shumtë për të vepruar kundër Türkiye-s në të ashtuquajturën akademi Dilovan, ku më parë terroristëve të PKK/YPG-së u kishte dhënë trajnime për vrasje, sipas burimeve të sigurisë.

Pjesëtarët e organizatës të trajnuar nga terroristja ngacmonin dhe sulmonin forcat turke në zonën e operacionit “Burimi i Paqes” në veri të Sirisë dhe në provincat juglindore Mardin dhe Sirnak të Türkiye-s.

PKK krijoi të ashtuquajturat njësitë e saj anti-terroriste, të njohura si YAT, në vitin 2014, duke operuar si forca speciale të supozuara në Siri dhe duke u angazhuar në organizimin e infiltrimit, pritave dhe veprime të ngjashme kundër forcave të sigurisë në kufi, thanë burimet.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiye-s, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.

Kategoritë
BotaLajme