Nënpresidentja Kamala Harris dhe ish-presidenti Donald Trump mbeten në një garë të ngushtë në shtatë shtetet e pavendosura pak më shumë se dy javë para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara, sipas një ankete të gazetës Washington Post dhe Fakultetit të Politikave dhe Qeverisë në Universitetin George Mason, të publikuar të hënën.
Ish-prokurorja demokrate Harris kryeson mes votuesve të mundshëm në Xhorxhia me rezultat 51% – 47%, ndërsa republikani Donald Trump ka një epërsi të vogël në Arizona, 49% – 46%. Rezultatet e dy anketave janë brenda kufirit plus ose minus 4.5 pikë për qind të gabimit. Në anketë morën pjesë 5016 votues të regjistruar nga 30 shtatori deri më 15 tetor.
Zonja Harris, e cila u bë kandidate e partisë demokrate pasi Presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara në korrik, kishte gjithashtu një epërsi në Pensilvani, Miçigan dhe Viskonsin, tre shtete ku ajo do të bëjë fushatë të hënën me ish-ligjvënësen republikane Liz Cheney.
Sipas anketës, republikani Donald Trump kryeson në Karolinën e Veriut dhe ka mbështetje të barabartë me zonjën Harris në Nevada 48% me 48%. Ish-Presidenti Trump do të mbajë një tubim fushate në Karolinën e Veriut më vonë të hënën, pas inspektimit të dëmeve të shkaktuara nga uragani “Helene”.
Kjo është hera e tretë që 78 vjeçari Trump garon për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Në zgjedhjet e vitit 2020, ai e humbi garën ndaj demokratit Joe Biden. Ai vazhdon të fajësojë pa fakte manipulimin e votave për humbjen e zgjedhjeve të fundit dhe përballet me akuza penale në nivel federal dhe shtetëror për përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve. Ai përballet edhe me një numër çështjesh të tjera penale. Zoti Trump i ka mohuar të gjitha akuzat për shkelje të ligjit.
Nënpresidentja demokrate Harris, 60 vjeç, ish-prokurore e përgjithshme e shtetit të Kalifornisë dhe ish-senatore amerikane, po përpiqet të rindërtojë një koalicion të larmishëm me votues të rinj, gra dhe komunitetet pakicë, si edhe të marrë mbështetjen e disa republikanëve të zhgënjyer me qëndrimet e zotit Trump.
Sondazhi i publikuar të hënën nga gazeta Washington Post dhe Fakulteti i Politikave dhe Qeverisë në Universitetin George Mason u bën jehonë sondazheve të tjera të fundit të cilat tregojnë për një garë të ngushtë në shtatë shtetet e pavendosura, edhe pse zonja Harris ka një epërsi në anketat në nivel kombëtar.
Sipas anketës, 49% e votuesve të mundshëm e mbështesin zonjën Harris dhe 48% zotin Trump. Mes votuesve të regjistruar, sondazhi i agjencisë së lajmeve Reuters dhe organizatës Ipsos javën e kaluar zbuloi se zonja Harris kishte një epërsi të qëndrueshme, 45% me 42% ndaj zotit Trump.
Megjithatë, rezultatet në kolegjet zgjedhore të shteteve do të përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve të nëntorit. Shtatë shtetet e pavendosura ka të ngjarë të jenë vendimtare, me sondazhet e votuesve të tyre të mundshëm që ofrojnë një tregues më të qartë të gjendjes aktuale të garës presidenciale.