Ankohen qytetarët: U ngritën çmimet e produkteve ushqimore por jo edhe pagat

Çmimet e produkteve të konsumit dhe derivateve kanë shënuar rritje gjatë muajve të fundit në Kosovë. Qytetarët ankohen duke thënë se çmimet janë rritur dhe nuk kontrollohen nga askush, derisa pagat mbesin të njëjta.

Ata thonë se çmimet janë rritur nga 20 deri në 30 përqind e për këtë kërkojnë edhe ndërhyrjen e Qeverisë.

Drejtuesi i Organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku ka thënë për KosovaPress, se më së shumti i frikëson ngritja e çmimit të energjisë elektrike, karburanteve por ka mundësi edhe mielli, buka dhe produktet e qumështit.

“Çmime ka pas varësisht nëpër sektorë, variojnë, janë në përqindje të ndryshme. Ajo që më së shumti na brengos tani, na frikëson është ngritja e çmimit të energjisë elektrike, të karburanteve, të emergjenteve të tjerë. Kjo aq më parë duke pas parasysh që ne po hyjmë në stinën që nevojitet ngrohja dhe natyrisht që derivatet e naftës na nevojiten për transport automobilistik etj. Ngritje të çmimeve ka pas te mielli, buka dhe nën prodhimet e qumështi, te mishi, bashkë me nën prodhimet. Ajo që ne e kemi vërejt si organizatë është e habitshme se para se të ngritet çmimi i produkteve kryesore siç është mielli, mishi dhe qumështi, ngritje çmimesh kemi pas te nënproduktet e tyre dhe për fat të keq kjo ngritje nuk ka bërë përshtypje te agjencionet të cilat e përcjellin tregun dhe këto çmime tani si inercion vazhdojnë të ndikojnë edhe në ngritjen e çmimeve tjera”, ka thënë ai.

E pa pranueshme për Kaçanikun është edhe ngritja e çmimit të bukës. Po ashtu, ai thotë se Qeveria duhet të ndikojë ndaj bizneseve që po bëjnë ngritjen e çmimeve.

“Çmimi i bukës nuk është ngritur atëherë kur kemi pasur ngritje të miellit, dhe kur çmimi i miellit po mrizon, kemi ngritjen e çmimit të bukës. Edhe kjo është një simptomë një sharet se diçka nuk është në rregull, se diçka po ndodhë jashtë kriteriumeve të tregut, jashtë ligjeve të ekonomisë. Dhe kur kjo ndodhë jashtë këtyre normave, atëherë inspeksionet, Qeveria duhet të ndikojë menjëherë dhe mos të bie pre e presioneve të ashtuquajtura alobime sepse ne e dimë që Qeveria dhe Kuvendi ndikohen nga lobistë të fortë të bizneseve por ato duhet të lobohen, por qytetari, konsumatori që është taksapagues, si taksapagues ne jemi gjenerues të buxhetit. Ne me buxhet e financojmë shtetin, nga ky buxhet marrin rroga edhe qeveritarët edhe kuvendarët, d.m.th ata veç tani janë në konflikt interesi dhe marrin nga dy burimet dhe duhet të vetëdijesohen, të veprojnë në dobi të qytetarit çoftë elektorat, çoftë konsumatorë, qoftë taksapagues, sepse obligimet ndaj nesh i kanë më të mëdha se ndaj bizneseve, fundja edhe ekonomia, edhe bizneset na shërbejnë neve e jo ne atyre”, ka shtuar Kaçaniku.

Ndërkohë, ngritjen e çmimit të produkteve e komentojnë edhe qytetarët. Leart Sfeqla tha se ngritja e çmimeve është e vështirë për shumicën e qytetarëve, pasi që edhe një pjesë e tyre janë me rrogë mesatare.

Ai kujton se me standardin që ka populli, nuk është lehtë të përballen me këto çmime.

“(Ngritja e çmimeve) Absolutisht është shumë e vështirë për shumicën e popullatës, sidomos me rrogën mesatare të popullit tonë që me i bo ballë këtyre çmimeve që janë rritur kohëve të fundit…Por që në secilin produkt mundesh me vërejt një rritje të vogël të çmimeve, edhe në ujin nëse e përdorë atë të blinim, kështu që normalisht nuk është e lehtë aspak me iu bërë ballë këtyre çmimeve që nuk po shkojnë në raport me ngritjen e pagave, le të themi ose me standardin e përgjithshëm të popullit,” ka thënë ai.

Kurse, Hasan Krasniqi thotë se ngritje të çmimeve më shumë ka në gjërat ushqimore.

“Rritja e çmimeve është evidente, kam mundur me vërejt në minimarkete, sidomos gjërat ushqimore. Me siguri pandemia por mendoj që edhe tregtarët po bëjnë keqpërdorim, po e shfrytëzojnë situatën, d.m.th edhe biznesmenët mundohen të përfitojnë më shumë…Derisa rritja e çmimeve nuk përcillet me ngritjen e pagave ndikon në uljen e standardit,” ka shtuar Krasniqi.

Po ashtu, Izet Zhuja tha se shtrenjtimi i ushqimeve është gjëja më e keqe që mund t’u ndodh qytetarëve. Ai thotë se Qeveria duhet të bëjë gjithçka që jeta e qytetarëve të mos shtrenjtohet.

“Ngritja e çmimeve kur njëherë nuk është popullore sepse ne e dimë çfarë standardi kemi në Kosovë, kështu që ndikon shumë keq në standardin tonë të përgjithshëm, pasi që shumica e mjeteve që disponojnë, shkojnë për ushqim, ushqimet nëse shtrenjtohen atëherë shtrenjtohen edhe gjërat tjera të cilat ndoshta nuk i kemi kushtet, ndoshta të gjithë për shembull për veturë, për benzinë, për rrymë për shërbime të tjera, mirëpo kriza botërore ekziston në botë dhe jo veç te ne dhe kriza botërore vjen gradualisht te ne, ani pse ndoshta më pak se në shtetet tjera sepse jemi shtet i vogël me të ardhura të vogla, kështu është një gjë e padëshirueshme. …Nuk kemi fort luks si popull për me ble gjana të shtrenjta, kështu që shtrenjtimi i ushqimeve është gjëja më e keqe që mund të na ndodh, natyrisht edhe rryma eventualisht ngritet edhe ajo është një gjë pa të cilën nuk mundemi, edhe Qeveria do të duhej të bënte gjithçka të mos na e shtrenjtojë jetën,” ka thënë ai.

Rafet Ademi kujton se çmimet po rriten në vazhdimësi, kurse pagat jo dhe kjo për qytetarin është shumë e rëndë.

“Nuk ke si me vlerësu, shumë keq pagat fare nuk janë rritur, çmimet në vazhdimësi janë duke u ngritur, minimumi tash është 20-30%. Pagat kanë mbetur të njëjtat për ne konsumatorët dhe për njerëzit është shumë e rëndë kjo. Unë çka kam mundur të vërej në produktet ushqimore, karburante dhe të tjera”, ka thënë ai.

Kategoritë
Ekonomi