Anulohen dasmat – Sogojeva: Pranojmë masat e marra, por asnjëherë mbylljen totale

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit Hysen Sogojeva, në një intervistë për Ekonomia Online tha se ka filluar anulimi i dasmave nga kontaktet që ka pasur me pronarët e restoranteve, pas vendimit të Qeverisë.

Ai më tej ka shtuar se pas rritjes së numrit të rasteve kanë respektuar vendimin, por nuk do të pranojnë asnjëherë mbyllje totale.

“Fillimisht jemi dakorduar që dasmat të mbahen me një numër të kufizuar, por që dyfishimi i rasteve na ka vendosur para një akti të kryer dhe që kur pamë raste kaq shumë, atëherë vendimin e ministrit në parim u pajtuam, pasi mbi të gjitha është shëndeti”.

“Qysh tani ju them që mbylljet totale nuk i lejojmë, dhe sugjeroj që le të marrin masa sa të duan por mbylljen totale nuk e lejojmë”

Sogojeva thekson që dëmet janë të mëdha pas anulimit të dasmave, por që e kanë pasur me patjetër pranimin e këtyre masave, raporton EO.

“E vërtetë që na ka dëmtuar mjaftë shumë, por kur marrim parasysh një numër kaq i madh i rasteve duhet të pajtohemi edhe me këtë situatë. Në bazë kontaktve që kemi ka filluar anulimi i dasmave”, theksoi tutje ai.

Tutje ai tha se gati 80% e dasmave kanë përfunduar, por që pjesa tjetër e mbetur do të shkaktojë humbje të mëdha.

“Pjesa më e madhe është bërë e dasmave, ku 80% d tyre janë përfunduar. Por prapë ka mbetur ky 20% që ka mbetur ka humbje me mijëra euro dhe është keq për ata që janë përgatitur për dasmat, por që është dashur të pajtohemi me këtë situatë”, deklaroi Sogojeva.

Qeveria në mbledhjen e së mërkurës ka marrë vendim për anulimin e dasmave dhe ahengjeve, mbylljen e klubeve të natës, për gastronominë ka vendosur që të punohet deri në orën 22:30, do të angazhohen edhe mbi 1 000 persona staf shëndetëso e do të punohet edhe të shtunave në qendrat e vaksinimit.

Kategoritë
LajmeVendi