Apeli e vërteton dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqa për vrasjen e Marigona Osmanit

Prishtinë-Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë i marrë nga Gjykata Themelore e Ferizajt duke konfirmuar se Dardan Krivaqës  i akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit, do të vuaj dënimin me burgim të përjetshëm. Gjithashtu Apeli ka vërtetuar dënimin prej 15 vitesh ndaj të akuzuarit Arbër Sejdiu për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje.

“Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të përfaqësuesit të të dëmtuarve M.O. dhe V.O. dhe të mbrojtësve të të akuzuarve D.K. dhe A.S., duke e vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj-Departamenti për Krime të Rënda, me nr. 2021:186679, të datës 26.09.2024”, thuhet në njoftimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Apeli ka vlerësuar se pretendimet ankimore të prokurorisë dhe të mbrojtësve të të akuzuarve sa i përket shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, nuk qëndrojnë, e gjithashtu nuk ka shkelje tjera të dispozitave të procedurës nga neni 384 të KPPRK, për të cilat shkelje kjo gjykatë kujdeset sipas detyrës zyrtare, e të cilat do të kushtëzonin anulimin e këtij aktgjykimi.

“Kolegji gjykues vlerëson se, gjykata e shkallës së parë ka analizuar të gjitha provat e proceduara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe lidhur me këto prova ka paraqitur konkludimet e saj, të cilat i vlerëson si të drejta, objektive dhe të ligjshme. Sa i përket pretendimeve ankimore lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, kolegji gjykues konstaton se gjykata e shkallës së parë e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike, për shkak se me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se të akuzuarit D.K. dhe A.S., kanë kryer veprat penale të lartcekura, për të cilat janë shpallur fajtorë”, thuhet në vendimin e Apelit.

Ndërsa, sa i përket pretendimeve ankimore lidhur me shkeljen e ligjit penal, Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë drejt dhe në mënyrë të plotë i ka vlerësuar rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, ndërsa në raport me pretendimet ankimore të mbrojtësit të të akuzuarit Krivaqa , duke pretenduar se gjykata e shkallës së parë ka vepruar në kundërshtim me dispozitën e nenit 41 paragrafi 1 dhe 2, sepse e ka pasur të ndaluar dhe të pamundshëm shqiptimin e dënimit të përjetshëm.

“Kolegji gjykues vlerëson se ky pretendim nuk qëndron, ngase dispozita e nenit 41 të KPRK nuk e përjashton mundësinë e shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm për veprat më të rënda penale, por nuk parashihet si i vetmi dënim kryesor për një vepër penale, andaj në rastin konkret, vlerësuar të gjitha rrethanat rënduese të të akuzuarit, japin bazë të mjaftueshme në arsyetimin e shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm për të akuzuarin D.k”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi