Apeli vërteton se DKA në Gjakovë ka bërë shkelje kur nxënësit e komuniteteve i ndau në klasë veçmas

Gjykata e Apelit ka publikuar aktgjykimin për vendosjen e nxënësve të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë në klasë të veçuara në Gjakovë, shkruan Express.

Sipas këtij aktgjykimi, refuzohet ankesa e Drejtorisë së Arsimit në Gjakovë, ndërsa miratohet si e bazuar kërkesëpadia e paditësve të mitur M. J, P. H dhe A. H, që të gjithë nga Gjakova.

Në pikën III të dispozitivit, thuhet se, drejtoria e Arsimit në Gjakovë detyrohet të paguajë nga 2,741 euro për secilin nga të miturit veç e veç.

“Me aktgjykimin e atakuar të gjykatës së shkallës së parë, në pikën I., të dispozitivit miratohet kërkesëpadia e paditësve të mitur M. J, P. H dhe A. H, që të gjithë nga Gjakova, si e bazuar. Në pikën II., të dispozitivit konstatohet se e paditura Komuna e Gjakovës-Drejtoria e Arsimit në Gjakovë, ka bërë diskriminimin mbi bazën racore dhe përkatësisë etnike të komunitetit romë, ashkali dhe egjiptian duke i vendosur në klasë të veçuara, e cila përbënë shkelje të së drejtës për arsimim kualitativ dhe gjithëpërfshirës. Në pikën III., të dispozitivit detyrohet e paditura Komuna e Gjakovës-Drejtoria e Arsimit në Gjakovë, që në emër të kompensimit të dëmit jo material për shkak të vuajtjeve shpirtërore të iu paguaj paditësve M. J nga Gjakova, P. H nga Gjakova, A. H nga Gjakova, veç e veç shumën prej 2,741.00€, me kamatën ligjore prej 8%, e cila fillon të rrjedhë nga data 31.12.2014 (data përfundimtare e llogaritur nga eksperti i financave dhe aktuaristikës) e tutje, e deri në pagimin definitiv, e të gjitha këto në afatin prej 15 ditëve, nga dita e marrjes së aktgjykimit, e nën kërcënim të përmbarimit me dhunë”, thuhet në aktgjykim.

Kategoritë
LajmeVendi