Arabia Saudite dërgon avionin e 14-të me ndihma për të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe Siri

Al-Jatili tha se në fazën e parë të ndihmave humanitare është rritur në 14 numri i avionëve të dërguar në Türkiye dhe Siri dhe se me çdo avion transportohen 30-40 tonë ndihma

Ka arritur në 14 numri i avionëve me ndihma që Arabia Saudite ka dërguar për të prekurit nga tërmeti në Türkiye dhe Siri, transmeton Anadolu.

Samer Al-Jatili, zëdhënësi i Qendrës së Ndihmës Humanitare të Mbretit Salman, bëri një deklaratë në kanalin Al-Ekhbariya me qendër në Arabinë Saudite lidhur me ndihmat që janë dërguar për të prekurit nga tërmeti në të dy vendet.

Al-Jatili tha se në fazën e parë të ndihmave humanitare është rritur në 14 numri i avionëve të dërguar në Türkiye dhe Siri dhe se me çdo avion transportohen 30-40 tonë ndihma.

“Faza e parë fokusohet në ndihmat humanitare emergjente të tilla si strehim, ushqim dhe produkte mjekësore”, deklaroi Al-Jatili duke shtuar se Arabia Saudite do të vazhdojë ndihmat e saj për të prekurit nga tërmeti në Türkiye dhe Siri.

Në lajmin e paraqitur më 18 shkurt në agjencinë e lajmeve SPA të Arabisë Saudite, thuhej se në kuadër të udhëzimeve të Mbretit bin Abdulaziz dhe Princit të Kurorës, Mohammed bin Salman në aeroportin e qytetit Gaziantep ishte ulur avioni i 12-të me produkte të ndihmës të tilla si produkte mjekësore, pako me ushqime dhe çanta gjumi.

Kategoritë
BotaLajme