Arabia Saudite dërgon një avion tjetër me ndihma për të prekurit e tërmetit në Turqi dhe Siri

Deri më tani, për të dy vendet e prekura nga tërmeti janë dërguar gjithsej 11 avionë, ndërsa avioni i 12-të është nisur nga Arabia Saudite drejt aeroportit në Gaziantep

Arabia Saudite njoftoi se ka dërguar edhe një avion tjetër që transporton 75 ton ndihma për rajonet e prekura nga tërmeti me qendër në Kahramanmaraş të Türkiye-s, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit në agjencisë zyrtare të lajmeve SPA të vendit, thuhet se në kuadër të udhëzimeve të Mbretit Salman bin Abdulaziz dhe Princit të Kurorës, Mohammed bin Salman, Arabia Saudite vazhdon ndihmat e saj për rajonet e prekura nga tërmeti në Türkiye dhe Siri.

Sipas raportimit, deri më tani për të dy vendet e prekura nga tërmeti janë dërguar gjithsej 11 avionë, ndërsa avioni i 12-të është nisur nga Arabia Saudite drejt aeroportit në Gaziantep.

Avioni transporton 75 tonë produkte të ndihmës humanitare, përfshirë produkte ushqimore dhe mjekësore, si dhe tenda, çanta gjumi dhe batanije.

Në anën tjetër, ambasada e Türkiye-s në Rijad, në një postim nga llogaria e saj Twitter, ka bërë të ditur se ambasadori Fatih Ulusoy ka zhvilluar një takim me zyrtarët e ministrisë së Shëndetësisë së Arabisë Saudite, ku i ka falënderuar për kontributet e tyre.

Abdullah bin Abdulaziz Al-Rabeeah, kreu i Qendrës së Punimeve dhe Ndihmës Humanitare të Mbretit Salman, në një deklaratë më parë më 14 shkurt ka theksuar se në rajonet e prekura nga tërmeti do të dërgohen 3.000 shtëpi-kontejnerë.

Kategoritë
BotaLajme