Arabia Saudite planifikon të lejojë të huajt të investojnë në kompani me prona në Mekë dhe Medinë

Rregullatori i tregut të Arabisë Saudite njoftoi të hënën se do të lejojë investime të huaja në kompani të listuara në bursë, të cilat zotërojnë prona brenda dy vendeve më të shenjta të Islamit, Mekës dhe Medinës, pasi Mbretëria synon të tërheqë më shumë investime.

Autoriteti i Tregut të Kapitalit të Arabisë Saudite deklaroi në një komunikatë se lejimi i investimeve të huaja në Mekë dhe Medinë do të sigurojë likuiditet për projektet aktuale dhe të ardhshme në vend. Në këtë drejtim, roli i haxhit dhe umres ka një rëndësi të madhe, pasi Arabia Saudite synon të presë 30 milionë pelegrinë për haxh dhe umre deri në vitin 2030.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në vitin 2019, Arabia Saudite ka fituar rreth 12 miliardë dollarë nga umreja dhe haxhi. Pelegrinazhet e umres dhe haxhit luajnë një rol jetik në ekonominë e vendit, dhe rritja e numrit të pelegrinëve është pjesë përbërëse e agjendës së reformave ekonomike “Vizioni 2030”, që synon të zvogëlojë varësinë e ekonomisë nga të ardhurat nga nafta.

Indeksi referues i Arabisë Saudite u rrit me 0.2 për qind, i udhëhequr nga një rritje prej 10 për qind në kompaninë Jabal Omar Development Company dhe Makkah Construction and Development Company, të cilat zotërojnë prona në Mekë.

Që në vitin 2021, janë miratuar ligje për të mundësuar investimet e të huajve në fondet e pasurive të paluajtshme që investojnë brenda Mekës dhe Medinës.

Kategoritë
Ekonomi